Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj inspektoi sot punimet e shkollës 9-vjeçare në Ahmetaq. Shkolla e rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, u rindërtua nga e para dhe sipas Ahmetaj, më 26 nëntor do të hapë dyert për të mirepritur mësuesit dhe 200 nxënësit e saj në ambientet e reja, me 9 klasa, 3 laboratore, biblioteke, palester e ambiente sportive.

“Shkolla 9-vjeçare në Ahmetaq, e cila do të rihapë dyert për nxënësit e mësuesit në 26 nëntor, është e rindërtuar me kushte e standardet më të mira, me 9 klasa, 3 laboratorë, palestër e bibliotekë moderne për 200 nxënës”, bëri të ditur ministri.

Sipas tij, rindërtimi vazhdon çdo ditë në të katër programet, banesat individuale, grantet e rikonstruksionit, objektet arsimore dhe themelet e para të pallateve të ndërthurura me infrastrukturën e lagjeve të reja.

“1 mijë familje do të mund të futen në banesat e tyre të reja të rindërtuara brenda datës 31 dhjetor të këtij viti, ndërkohë po vijon puna në të gjitha programet. Po vijon dhënia e granteve të rindërtimit, duke ndihmuar familjet për tu rikthyer në shtëpitë e tyre, aty ku dëmtimet janë të riparueshme. Ndërkohë në disa prej bashkive të prekura nga tërmeti ka nisur edhe ndërtimi I banesave kolektive, si në Tiranë apo Durrës”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, Rindërtimi nuk është vetëm një proces financiar e administrative, por është një program unik social i një mazhorance thellësisht të majtë që në vëmendje ka qytetarët, ka atë që ka nevojë për ndihmë çdo ditë.

Qeveria parashikon që të investojë nga buxheti i shtetit për rindërtimin 65 miliardë lekë përgjatë tre viteve 2020-2022.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb