Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë Zbigniew Rau, tha se integrimi euroatlantik mbetet një orientim i pazëvendësueshëm për të gjithë vendet e rajonit.

Gjithashtu ai falënderoi ministrin, për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë, duke shtuar se turizmi mbetet  një nga bashkëpunimet kyçe mes vendeve.

“Është kënaqësi për mua dhe në emër të kryeministrit Rama pata mundësinë të pres ministrin e Jashtëm të Polonisë. Kryesia polake e OSBE përkon me një periudhë shumë të vështirë, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës,. Roli i Shqipërisë ka qenë i gjithanshëm dhe i vlerësuar , në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB,  NATO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Ne kemi bërë thirrje për të ndaluar me çdo kusht luftën në Ukrainë.

Lufta heroike e Ukrainës është një luftë për paqe dhe sigurinë në kontinentin europian. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit he roli ynë është i rëndësishëm këtë muaj që Shqipëria mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, Sot diskutuam edhe për zhvillimet në rajonin tonë. E falënderova ministrin për rëndësinë që Polonia i ka dhënë vendit tonë. Integrimi euroatlantik mbetet një orientim i pazëvendësueshëm për të gjithë vendet e rajonit që mund të sigurojë siguri dhe paqe për vendet tona”, tha Ahmetaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb