Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, sqaroi në emisionin “Opinion” kontratën për inceneratorët.

Ministri iu përgjigj akuzave se kjo kontratë është hartuar dhe negociuar brenda një dite, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi janë bërë katër muaj punë, që ka kulmuar më 16 dhjetor 2014, kur u firmos kontrata.

“Procedura ka filluar më 11/8 dhe që atë ditë ka filluar një procedurë në Ministrinë e Mjedisit, që kulmon më 16 dhjetor 2014. Fakti është që në 16 janë mbyllur procedurat. Kontrata nuk është negociuar për një ditë, ka ardhur dhe është paraqitur në ministri, është diskutuar, është çuar për aprovim në Këshillin e Ministrave. Të gjitha këto janë konseguencë e 4 muajve punë në emergjencë. Një qeveri që vendos të pastrojë plehrat, dhe do vazhdojë t’i pastrojë edhe në mandatin e tretë, ditën e parë foli me qytetarin e Elbasanit. Nuk është një ditë punë, është kulmimi i katër muajve punë. Duhet të çmontojmë një gënjeshtër. Nuk u hartua dhe negociua kontrata brenda një dite, por ishin 4 muaj punë. Ditën e hartimit janë paguar 5.57 milionë euro pa TVSH, ndërkohë që impianti bën 21.6 milionë euro pa TVSH.

Ky është një investim publik. Në periudhën që privati ka ndezur veprën dhe e ka kolauduar ka marrë nga buxheti i shtetit 5.57 mln euro dhe ka paguar 21.6 mln euro. Vërtetojeni këtë që them unë dhe nëse nuk është kështu, atëherë unë nuk e di çfarë do bëj. Ky është një partneritet publik-privat tipik, ku ditën që është dorëzuar aseti, dhe që funksionon, atë ditë gjithë aseti kushtonte 21.6 milionë euro, të cilat janë investuar nga privati, i cili nga shteti ka marrë deri në atë ditë 5.57 mln euro, pra gati ¼ më pak të këtij investimi. Autoriteti Kontraktor, që është Ministria e Mjedisit, ka paguar me firmë deri më atë ditë 5.57, dhe entiteti ka investuar gjithë asetin”, tha Ahmetaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb