Ministri Arben Ahemtaj i ngarkuar me detyrën e administrimit të situatës së COVID-19 në Shqipëri i ka bërë letër zyrtare ministrave të Ekonomisë në BE dhe Ballkan Perëndimor që veshjet e specializuara për mjekët, policët e ushtarët t’i prodhojnë në kompanitë fason në Shqipëri.

Ahmetaj shprehet se kompanitë shqiptare të fasonit kanë ndërprerë kontratat me porositësit dhe mund ta orientojnë prodhimin drejt veshjeve të specializuara.

Nga njëra anë sipas Ahmetajt kjo do lehtësonte sektorin e fasonëve në Shqipëri ndërsa nga ana tjetër do plotësonte nevojat mër pajisje mbrojtëse ndaj COVID-19.

 

STATUSI DHE LETRA E ARBEN AHMETAJT

Në vazhdën e nismave për mbështetjen e sektorëve të ekonomisë të afektuar si pasojë e COVID-19, i jam drejtuar me një letër zyrtare Ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë.

 

Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm.

 

Bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre.

 

Jam i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb