HIMARE – Sezoni turistik është në kulmin e tij dhe shifrat janë optimiste sipas ministrit të financave Arben Ahmetaj i cili gjatë një takimi me bizneset e turizmit ne Himarë tërhoqi vëmendjen në dy elementë kryesorë, formalizimi dhe cilësine e shërbimeve.

“Këtë vit të gjitha shifrat tregojnë që turizmi është në një rritje me dy shifra, qoftë në aspektin e kontributit në ekonomi, qoftë në numrat e turizmit. Unë shpresoj dhe besoj që edhe ju këtu, në Himarë apo në Dhërmi, ta keni ndjerë të gjithë atë lëvizje të turizmit. Sfida e madhe është që gjithë këtë kërkesë ta furnizojmë me shërbimet e duhura. Këtu patjetër që ka rëndësinë e vetë edhe kualifikimi profesional i punonjësve që ju merrni në punë, që nga kuzhinierët, që nga kamarierët, apo të gjithë profesionet e tjera që po i referohem si profesione teknike, që në finale hyn tek gjithë gama e shërbimeve për të kënaqur të gjithë prurjet që ka turizmi në zonën e Himarë-Dhërmiut,” tha Ahmetaj.

Për të përmirësuar infrastrukturën në zonat turistike Ahmetaj tha se qeveria , do të investojë rreth 250 milionë lekë.

“Është një projekt shumë i madh rreth 74 milion dollarë që vjen nga Banka Botërore, që po investohet në Unazën e Jugut, ku përfshihet gjithë kjo zonë. Projekti tjetër është projekti i Bankës Botërore, po me të njëjtën logjikë, por me këto rrugët që i quajmë rajonale, rrugë dytësore. Pra, jo rrugët kryesore, por rrugët dytësore. Ka dhe një projekt tjetër po në të njëjtën paketë, që është midis BERZH-it dhe Komisionit Europian, 60 milion euro është kredi dhe 40 milion euro është grant që na e jep Komisioni Europian po për të njëjtën gjë. Paketa e gjithë shkon tek 250 milion euro,” tha Ahmetaj.

Pritet që nga viti i ardhshëm të ketë një fond parapërgatitor për bashkitë për shërbimet që fillojnë nga pastrimi e ndriçmi deri tek nevojat e infrastrukturës së vogël.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: