GREQI-Gjate kohes se konfliktit në Kumanovë mes një grupi të armatosur dhe forcave policore, ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tani kryetar i BDI-së Ali Ahmeti, negocioi me këtë grup të strehuar në Kumanovë.

Ata kanë kërkuar nga Ahmeti që ti ndërmjetësojë dhe më pas të largohen, por ai ju ka thënë se duhet të dorëzohen. Kështu e ka nisur shkrimin gazeta greke “Kathimerini” duke përcjell intervistën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Kryetari i BDI-së Ahmeti ka theksuar se nuk ekzistojnë plane për Shqipërinë e Madhe, dhe është shprehur se kur Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s do ulen tensionet.

Ahmeti ka thënë se ngjarjet në Kumanovë janë rezultat i pasigurisë rreth të ardhmes euroatlantike të vendit dhe kjo u jep mundësinë apo justifikimin disa grupeve të shkaktojnë incidente.

“Ngjarjet në Kumanovë duhet të rishqyrtohen me pjesëmarrje të organizatave ndërkombëtare, ndoshta edhe të NATO-s”, ka thënë Ahmeti për gazetën greke “Katimerini”.

I pyetur nëse incidenti mund të reflektohet në marrëdhëniet ndëretnike, Ahmeti u përgjigj:

“Jam i bindur se tensionet do të ulen sapo Shkupi të bëhet anëtare fuqiplotë e NATO-s. Pasiguria dhe mungesa e paqartësisë në integrimet si dhe në përkushtimin e qëllimeve strategjike, shkaktojnë pasiguri edhe tek shqiptarët. Ftoj vendet fqinje të marrin parasysh stabilitetin në rajon dhe të kontribuojnë në paqen dhe sigurinë me konstruktivitet mbi gjitha çështjet e hapura…”.

Ahmeti është shprehur se Shqipëria e Madhe nuk është projekt i shqiptarëve.

“I jemi përkushtuar Evropës së madhe, ku të gjithë, shqiptarë, grekë, serbë, gjermanë dhe të tjerë do të jetojmë mirë”, ka sqaruar Ahmeti, duke shtuar se të gjithë duhet të angazhohen në zgjidhje politike, të vazhdohet me reformat rekomanduar nga KE dhe të intensifikohet dialogu me Athinën që të hapet rruga për paqe të përhershme, stabilitet dhe siguri, jo vetëm këtu por edhe në gjithë Ballkanin perëndimor.

(a.n/zhurnal.mk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: