Një histori e dhimbshme është ndarë në emisionin “Me Zemër të Hapur” me autoren Evis Ahmeti, ku një grua e moshuar ka rrëfyer se prej vitesh është në konflikt të vazhdueshëm me fqinjin e saj. Sipas saj, ata i kanë marrë padrejtësisht një pjesë të tokës që shërbente si varrezë, ku preheshin eshtrat e dy fëmijëve të saj që kishin ndërruar jetë në moshë të vogël.

 Gruaja ka pretenduar se  varret e  fëmijëve të saj janë zhvarrosur dhe brenda tyre është vendosur trupi i një fëmijës së , fqinjit  të saj. Ajo ka shprehur shqetësimin e madh se ende nuk di se ku ndodhen eshtrat e fëmijëve të saj dhe se ka kaluar një kohë e gjatë pa mundur të gjejë asnjë përgjigje.

Ajo ka treguar për jetën e saj të mbushur me vuajtje, duke ndarë momentet më të vështira të jetës së saj, përfshirë humbjen e dy fëmijëve. Sipas saj, në vitin 1997, ajo humbi fëmijën e parë kur ishte 8 muajshe shtatzënë, pasi po punonte në punët e fshatit. Po ashtu, fëmija i dytë humbi jetën në vitin 2002, pasi ajo po mbante misir në kurriz dhe, për shkak të një rënieje, ndodhi një fatkeqësi që çoi në vdekjen e fëmijës.

Eshtrat e dy fëmijëve të saj u varrosën në tokën e kishës dhe gjithçka ishte në rregull deri në vitin 2018, kur situata mori një kthesë tragjike. 60-vjeçarja  ka shpjeguar se ka pasur një konflikt me fqinjin për tokën ku ishte varrosur fëmijët, një tokë që ajo e ka trashëguar nga babai. Ky konflikt u përshkallëzua, dhe fqinji, pas disa mosmarrëveshjeve me djalin e saj, ka marrë hak ndaj saj.

Ajo tregon se pas një tragjedie familjare të fqinjit, kur ai humbi djalin 14-vjeçar, shkoi në varrim për t’i shprehur ngushëllime. Më pas, gruaja ka marrë një telefonatë alarmante, ku është njoftuar se fqinji kishte varrosur fëmijën e tij në vendin ku ajo kishte varrosur fëmijët e saj  se fqinji  e kishte kërcënuar se do t’i vriste nëse do tentonin të lëviznin eshtrat e fëmijëve të saj.

Për më tepër, gruaja ka deklaruar se fqinji ka marrë eshtrat e fëmijëve të saj dhe i ka zhvendosur, duke i hedhur ato në një kanal. Ajo tani kërkon drejtësi nga institucionet dhe autoritetet ligjore, duke shpresuar që t’i jepet fund këtij konflikti dhe padrejtësie të rëndë.

Unë aktualisht kam 4 fëmijë. Në vitin 1997 humba fëmijën e parë kur isha 8 muajshe shtatzënë pasi po punoja punët e fshatit. E njëjta gjë ndodhi edhe me fëmijën e dytë në vitin 2002 sepse po mbaja misir në kurriz. Në atë moment jam rrëzuar në tokë dhe pashë që fëmija ishte goditur. Ka ardhur mamaja ime, dhe më ka transportuar me një karrocë dore deri në shtëpi.

Unë i kam varrosur të dy fëmijët në tokën e kishës dhe gjithcka ishte normale deri në vitin 2018.  Unë kam një konflikt përvec varrit, por edhe për tokën me fqinjin pasi e kam të trashëguar nga babai. Ai është hakmarrë për këtë gjë, sepse edhe para disa kohësh ishte konfliktuar me djalin tim. Unë e kam dëgjuar ngjarjen një ditë që ai kishte humbur djalin e tij 14-vjeç dhe shkova në varrim së bashku me nënën. Më pas më morën në telefon dhe më lajmëruan se ai e kishte varrosur djalin tek vendi ku unë kisha varrosur dy fëmijët e mi. Ai kishte kërcënuar se do na vriste nëse do tentonim t’i lëviznim nga aty. Fqinji i ka marrë eshtrat e fëmijëve dhe i ka zhvendosur. Ai më tha se eshtrat i kishte hedhur në kanal. Unë kërkoj drejtësi nga institucionet”, tha ajo.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb