Stadiumet shqiptare “Air Albania” dhe “Elbasan Arena” po bëhen gati të presin tri ndeshjet e klubeve shqiptare në kupa e Europës në muajin korrik.

Sfida jo të vështira tashmë për FSHF-në, klubet shqiptare dhe vetë vendin tonë, që janë mësuar të organizojnë me sukses të tilla aktivitete të niveleve të larta, që kulmuan me finalen e UEFA Conference League më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.

Ky i fundit do të mirëpresë më 12 korrik ndeshjen e kthimit që Tirana do të zhvillojë ndaj Dudelanzhit, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa edhe Partizani do të luajë dy ditë më pas sfidën e kthimit ndaj Saburtalo, e vlefshme për turin e parë të Europa Conference League.

Kejdi Tomorri, drejtori i Departamentit të Shërbimeve dhe Administrimit të Qendrave Sportive, në një intervistë për Fshf.org tregon se gjendja e stadiumit “Air Albania” është e mirë dhe shpjegon edhe problemet me barin e fushës.

“Gjendja e stadiumit është relativisht e mirë. Jemi duke u sforcuar pak në mbajtjen e barit, duke qenë se ishte planifikuar që stadiumi të kishte këtë lloj bari deri për finalen e Conference League, por edhe pak më pas për ndeshjet e ekipit kombëtar dhe duke qenë se është një lloj bari vetëm për periudhën e dimrit, jemi duke “e vuajtur” pak për ta mbajtur në formën më të mirë të mundur për dy ndeshjet që do të vijnë me datë 12 kur do të luajë ekipi i Tiranës dhe 14 ekipi i Partizanit”, – thotë Tomorri për fshf.org, ndërsa flet edhe për gjendjen e stadiumit “Elbasan Arena”, ku do të luajë ekipi tjetër që është kualifikuar në kompeticionet europiane, ekipi i Laçit.

“Edhe në stadiumin “Elbasan Arena” gjendja është optimale. Prej shumë kohësh aty kemi një fushë shumë të mirë, por edhe pjesa tjetër e infrastrukturës së stadiumit është shumë mirë për të mirëpritur ndeshjen që do të luajë Laçi”, – tregon Kejdi Tomorri.

Federata Shqiptare e Futbollit është mësuar tashmë të presë ndeshje të këtyre niveleve, por edhe më lart, ndërsa Tomorri shpjegon se në këto raste, FSHF-ja është një asistente sa i përket organizimit të ndeshjeve dhe gjithmonë në krah të klubeve shqiptare, sa herë u kërkohet ndihmë.

“Kemi eksperiencë goxha të gjatë tani, duke filluar që nga ndeshjet e ekipeve kombëtare që kërkojnë më tepër njerëz, staf dhe organizim dhe patjetër që edhe ndeshjet e klubeve do organizohen më së miri.

Pra, infrastruktura është dhe ne u ofrojmë edhe asistencë klubeve sepse në ndeshjet e tyre, janë vetë klubet që marrin përsipër organizimin e të gjithë ndeshjes, por asistenca e FSHF-së nuk u ka munguar kurrë, si ne njerëz, në dije dhe në organizim”, – vijon ai për fshf.org.

Fusha e stadiumit “Air Albania” do të rimbillet sërish, teksa Tomorri shpjegon edhe procedurat e barit dhe mënyrën e mbjelljes së tij.

“Ky në fakt është edhe pak proces teknik, tapeti dihet që është hibrid, ku 10% është sintetik dhe 90% duhet të jetë i mbjellë me bar. Në finalen e Conference League, duke qenë që tapeti u shtrua në shtatorin e vitit të kaluar, u vendos që të mbillej bar që është rezistent ndaj të ftohtit, pra për dimër.

Me sa kemi diskutuar me konsulentin e UEFA-s, mendimi i tij është që stadiumi duhet të jetë i mbjellë me bar vere, duke qenë se temperaturat arrijnë deri në 70 gradë në fushë, pasi ky është një stadium i mbyllur. Dhe i vetmi lloj bari që mund t’i mbijetojë është bari i verës, ose emrin shkencor e ka ‘Bermuda’. Më pas pastaj, në dimër bëhet një rimbjellje me pjesën tjetër të barit të dimrit dhe kështu vazhdon.

E njëjta teknologji është përdorur edhe në stadiumin “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”, por këtë teknologji aplikuam edhe në stadiumin “Niko Dovana”.

Është një praktikë që e njohim mirë, por duke qenë se nuk kemi pasur kohë ta mbillnim, për shkak se ka qenë periudha e dimrit, stadiumi duhet të mbillet me barin e verës dhe më pas vazhdon me praktikat normale si çdo stadium tjetër. Kjo ndodh vetëm një herë dhe jo çdo vit”, – përfundon Kejdi Tomorri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb