Në rrëfimin e radhës në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Edi Rama foli sërish për pengun e mospjesëmarrjes në ngjarjet e datave 8, 9, 10, 11, 12, 13 dhjetor 1990, ngjarje tipike nga ato në të cilat kondensohet historia. Rasti deshi që Rama të ndodhej në Greqi bashkë me prindërit ato ditë, të ftuar nga disa të afërm. Do të hapte edhe një ekspozitë me piktura, siç ka thënë vetë. Mund ta imagjinojmë dhe besojmë sa keq është ndjerë kur ka marrë lajmin se në Tiranë studentët ishin ngritur.

Dhe ai nuk ishte. Mund ta mirëkuptojmë gjithashtu se ndërsa nuk mund të parashikonte tetë dhjetorin e natës në qytetin “Studenti”, kishte lënë një tetë dhjetor të paracaktuar që kishte kërkuar përgatitje dhe guxim, atë të mbrëmjes në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në përkujtim të dhjetëvjetorit të vdekjes së Xhon Lenon, këngëtarit të famshëm të grupit të Bitësllave, i ndaluar në Shqipërinë komuniste. Në atë kohë ishte gjë e madhe të shkoje jashtë shtetit. Nuk ishte si sot.

Me të mbërritur në Tiranë, mbrëmjen e 13 dhjetorit, e mbajti hapin në katin e dytë të kinoklubit “Studenti”. Anëtarët e sapozgjedhur të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike ishin mbledhur në një zyrë të katit të dytë për të ngritur grupet e punës. Po të kishte mbërritur një orë përpara në sallën e madhe të kinoklubit, Rama do të ishte zgjedhur njëqind për qind anëtar i atij komisioni. Siç ishin zgjedhur me votim të hapur të tjerët, studentë të pararojës së Lëvizjes një pjesë, intelektualë të njohur për akte dhe gjeste publike pro lirisë gjatë atij viti pjesa tjetër, bashkuar që në fillim me Lëvizjen.

Mbërritja pak më vonë nuk do të thoshte se Rama kishte humbur mundësinë. Atij iu bë vend menjëherë në atë mbledhje si i barabartë me gjithë të tjerët. Madje, e ulën përkrah Pashkos në tryezën e kreut. Sot e kësaj dite, në shënimet me vlerën e protokollit që ka mbajtur nga ajo mbledhje ish-studentja Ilenia Mëhilli, emri i Ramës figuron në njërin prej grupeve të punës. Sepse kishte regjistruar edhe ai qëndrimet e tij pro lirisë dhe hapjes së vendit në Institutin e Arteve ku jepte mësim. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit ishin të njohur dhe miq të tij, me të cilët kishte ndarë mendimet dhe përpjekjet e para për përmbysjen e regjimit.

Në librin tim, “Fillimet”, kam përfshirë disa paragrafë për ardhjen dhe ikjen e Ramës nga ajo mbledhje. Është fjala për një episod që do të ishte sfumuar e harruar si vogëlimë në vorbullën e ngjarjeve të rëndësishme, nëse Rama nuk do të ishte ai që u bë: ministër, kryebashkiak i Tiranës, kryetar i PS-së, Kryeministër, kampion i jetëgjatësisë në poltrone pushteti në Shqipërinë demokratike, mbi njëzet vjet.

Nga largësia dhe lartësia e kësaj karriere të ishte e pritshme dhe njerëzore që Rama të shfaqej minimalisht i relaksuar në raport me episodin e 13 dhjetorit 1990, pse jo edhe reflektiv për radikalizmin e tij apolitik në kushtet kur demokracia shumëpartiake në Shqipëri po niste ditën e saj të dytë. Partia Demokratike e sapoformuar nuk ishin disa pak fjali të kujdesshme që oratorët demokratë i përdornin për të nderuar kalimin pa gjakderdhje të vendit në sistemin shumëpartiak, por ishin bazat e programit të saj të ri. Edhe retorika ka kohën e saj. Ashpërsia e saj është funksionale kur përligjet me natyrën e pengesës që duhet të mposhtë. Por edhe duhet të zbutet kur pengesa zbutet apo bie. Përndryshe ajo bëhet disfunskionale, e kërkuar, e dëmshme. Vetë fjalitë e kortezisë për Alinë do të harroheshin pak javë në vonë me daljen e politikës në fushën e hapur të ballafaqimeve antagoniste.

Është e trishtuar të dëgjosh se as pas tridhjetëvjetësh- edhe pasi ngjarjet që ndodhen në Shqipëri e tejkaluan sa e sa here, mjerisht, radikalizmin verbal të Ramës së fillimit- ky nuk e rrok dot qasjen e nderimit fisnik apo kalorësiak të palës tjetër që ka bërë pjesën e vet në prodhimin e ngjarjes historike. Nuk e lënë kufizimet? Nuk e lë egoja? Nuk e lë pengu që nuk ka gjurmën e tij në ngjarjen më të madhe demokratike në historinë e Shqipërisë? Nuk e lë interesi politik imediat që verbon shikimin para dhe prapa? Ç’rendësi ka! Po të kishte lexuar Adam Mihnik-un, disidentin polak, do të kishte parë se me çfarë objektiviteti flet ai edhe pas njëzet vjetësh për Tryezën e Rrumbullakët të vitit 1989 mes Solidarnosit antikomunist dhe regjimit komunist të Varshavës, duke i njohur meritën edhe palës tjetër, Jaruzelskit, për marrëveshjen e negociuar, të cilën nuk heziton ta cilësojë një “kryevepër të artit dhe etikës politike… që i kurseu Europës Lindore ndoshta lumenj gjaku”. Rama e njeh Mihnik-un, madje edhe e përmend ndonjëherë për të zbukuruar dukjen me emrin e tij, por zor t’i gjesh një qasje të ngjashme me qasjet e ish-disidentit polak.

Edhe pas tri dekadash, ai “nuk ua fal” themeluesve të Partisë Demokratike frazat e kortezisë për ish-Presidentin Alia, që kishte negociuar me delegacionin e Lëvizjes Studentore vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Çfarë do të kishte bërë më shumë Rama po të mos e kishte degdisur larg teatrit të ngjarjeve ajo “dreq ekspozite”? Çfarë më shumë se të kërkonte si gjithë të tjerët vendosjen e pluralizmit politik? Çfarë më shumë se Azem Hajdari, Tefalin Malshyti, Shinasi Rama, Blendi Gonxhe, Arben Imami, Arben Demeti, për të përmendur vetëm disa prej anëtarëve, delegacionit të Lëvizjes në takimin me Presidentin Alia? Çfarë me shumë se sa rënien dakord që atë mbrëmje për të sendërtuar pluralizmin e sapofituar me krijimin e një partie popullore me shtrirje kombëtare, që u quajt gati spontanisht Partia Demokratike? Çfarë më shumë se sa të merrte pjesë në hartimin brenda ditës të statusitit të parë dhe programit minimal të kësaj partie? Asgjë. Absolutisht asgjë. Ai e pat provuar radikalizmin e tij, abstrakt në kushtet e reja, pa arritur të krijonte një korent apo grupim politik të kësaj fryme në Shqipëri.

Si të mos mjaftojë mungesa e një reflektimi në optikën e kohës që ka kaluar, Rama e sheh turbull edhe vetë takimin e 13 dhjetorit, ku, siç e thashë më lart, anëtarët e sapozgjedhur ishin mbledhur për të krijuar grupet e punës. Ia atribuuan të ndjerit Gramos Pashko një bisedë dypalëshe që Pashko nuk ka mundësi as ta pohojë, as ta replikojë, sikur PD nuk do të vinte kandidat përballë Ramis Alisë. Çfarëdo të jetë thënë nga njëri dhe tjetri, e vërteta e njohur nga të gjithë është se PD kandidoi përballë Ramiz Alisë me Franko Kroçin dhe fitoi. Fakti e përgënjeshtron zotin Rama në qëllimin e këtij evokimi pa sens.

Po ashtu edhe evokimi tjetër i deklaratës së PD-së në lidhje me degradimin në akte plaçkitëse të një proteste të asaj dite në Shkodër. Në mbledhje erdhi lajmi se ajo protestë e thirrur nga një grup ish-të përndjekurish politikë për liri dhe demokraci, ishte shfrytëzuar nga disa tipa për të thyer e vjedhur mallra në dyqane. Që përpara se të imponohej nga Lëvizja Studentore, pluralizmi ishte pikturuar nga njerëzit e regjimit si gogoli që do të sillte kaosin, përçarjen, prishjen e Shqipërisë. Tani që pluralizmi ishte vendosur kishte e do të kishte deri vonë një strategji të veglave të regjimit për ta diskretituar me akte të shëmtuara e për të thënë “ja, e kemi ditur ne”! Inkurajimi i plaçkitjeve ka qenë pjesë e kësaj strategjie. (Unë vetë jam ndeshur në atë kohë me hordhi të tilla në segmentin Laç-Lezhë).

Ky ishte konteksti. Pa e parë me sy të vërtetën e asaj që kishte ndodhur në Shkodër, pas një diskutimi shumë të shkurtër në mbledhje, Arben Imami dhe unë kemi shkuar në RTSH për të bërë një deklaratë në emër të PD-së. Ish drejtori Virgjil Kule na tregoi një vend ku mund të uleshim për ta shkruar. Imani do ta lexonte për lajmet e orës 20:00. Asnjë etiketim, thjesht një distancim nga plaçkitjet, një thirrje për të manifestuar në mënyrë demokratike e paqësore për Shqipërinë si gjithë Europa. Siç do të ndodhte pak ditë me vonë në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, ku PD do t’i printe një zgjimi të panjohur në histori, me mitingje popullore madhështore e paqësore ku kërkohej lirimi i gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, shtyrja e zgjedhjeve, Shqipëria si gjithë Europa. Interesante është se vetë ish-të përndjekurit politikë që kishin thirrur manifestimin në Shkodër i patën dënuar aktet e dhunës e vënies dorë në pronën e përbashkët.

Ngatërrimet dhe zhvendosjet nuk kanë pikë rëndësie në evokimin e 13 dhjetorit 1990 nga Kryeministri Rama. Problematikë në këtë evokim është paraqitja në një formë mburrëse për vete dhe akuzuese për themeluesit e PD-së të një radikalizmi apolitik, që mund të këtë qenë gjenuin në atë kohë, por është i turpshëm të tregohet me krenari sot pas gjithë çfarë ka ndodhur e kemi parë përgjatë tranzicionit, ku tri gjëra i kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi me shumicë: sektarizmin, intrasigjencën, radikalizmin…

Që në fillimet e demokracisë e pastaj edhe më vonë është parë qartë se radikalët që vinin nga familjet e regjimit nuk e kishin me sistemin, por me pushtetin, me luftën e kastave brenda llojit. Me kohë, ky lloj “radikalizmi” është bërë politikë, është kalëruar politikisht për ta kompleksuar e shtyrë PD-në në qëndrime të paarsyeshme, të padrejta, jofisnike, që kanë rezultuar të dëmshme dhe antielektorale për të. Rama vazhdon të luajë këtë kartë meskine, kur në vend të nderimit si qeveri në ketë tridhjetëvjetor të ngjarjes së madhe dhe të njerëzve që i dolën zot në ato fillime, pëlqen të veteglendiset sikur do kishte qenë kushedi çfarë, por e pengoi ajo “dreq ekspozite” dhe nuk e lanë. Dhe kështu shkoi dhe u bë kryetar i Partisë Socialiste (ish-Komuniste).

Në fakt, fati dhe fuqia politike e Ramës është pikërisht PS-ja, të cilën e mori të organizuar, siç e kishte marrë paraardhësi i tij Fatos Nano, një subjekt i vjetër që ka vazhduar t’i peshojë bishti me rëndë se sqepari. Nga kjo pikëpamje, Rama ankohet kot kundër asaj “dreq ekspozite” që e mbajti larg një ngjarjeje të paparashikuar. Në flateritë e “parashkrimeve nga lart”, siç ka nisur t’i tregojë ngjarjet e jetës së tij politike, ajo dreq ekspozite mund të dalë se ka qenë bekimi i tij./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb