Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme ka vepruar me standard të dyfishtë për personazhe të ndryshme politike.
Ajo që ndodhi me kreun e demokratëve Sali Berisha, sipas saj do të hyjë në histori, ndërsa shtoi se SPAK duhet të luftojë korrupsionin në nivele të larta, jo vetëm në nivel vendor.
“Kam qenë ish kryetare e Kuvendit dhe deputete, nuk më lejohet të merrem vetëm me një institucion. Çdo shqiptar duhet të shohë shtetin ligjor, në tërësi jo një institucion të caktuar që ka treguar se përdor standarde të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Ajo që ka ndodhur me Berishën do të hyjë në histori. Jam nga personat më të fokusuar në luftën e korrupsionit. Shohim që hynë e dalin krerët e bashkisë, sigurisht lufta ndaj korrupsionit duhet bërë në çdo zyrë, por maja e korrupsionit është më lart. Me rritjen e korrupsionit është krijuar edhe kultura se nëse jam pushtetar kam të drejtë të përdor gjithçka të këtij vendi si pronën e tim eti”, u shpreh ajo në emisionin “Kjo Javë”.
Sa i përket zgjedhjeve të 11 majit, Topalli tha se lind nevoja për krijimin e një ekip[i me vlera të larta morale dhe intelektuale, që do të jetë përfaqësues i denjë i demokratëve në legjislaturën e ardhshme.
“Kemi kaluar momente të vështira por është momenti që të krijohet një ekip me vlera të larta morale dhe intelektuale që të marrin besimin e qytetarëve. Duhen njerëz intelektualisht të përgatitur me ndërgjegje shoqërore për t’i shërbyer vendit e jo për t’i marrë atij. Duhen njerëz dhe një program që të shërojë plagët e rënda të Shqipërisë, ku kemi një grup që janë sheikë dhe një pastaj është pjesa tjetër”, tha ajo.
(BalkanWeb)