Kreu i PD-së Sali Berisha ka qenë sot në një takim me të rinjtë dhe intelektualët në Durrës nga ku deklaroi se Durrësit dhe Shqipërisë i kanoset një rrezik që nuk ia kanë bërë as pushtuesit.

Berisha theksoi se ajo që ndodh në Durrës është një barbari.

“Shpreh kënaqësinë që jam sot këtu. Mblidhemi me qëllimin më kryesor për të vijuar misionin tonë. Sot në vlerësimin tim në bindjen time demokratët dhe jo vetëm ata janë në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme, misionin e shpëtimit të Shqipërisë, të Durrësit nga rreziqe të cilat, në disa aspekte, po të shohim Durrësin, nuk ia kanë bërë as pushtuesit e tij.
Ajo që ndodh në Durrës është një barbari. Ato janë vlera të cilat nuk janë as demokrate as socialiste, janë vlera të përjetshme. I kanë sjellë Durrësit dhe durrsakët në shekuj dhe mijëvjeçarë dhe tani për shkak të korrupsionit, të vjedhjes kërkohet që gjithçka të transformohet dhe të zhduket. Pra, një nga rreziqet e mëdha. Mirëpo ajo është historia e Durrësit, është investim shekullor i durrsakëve. Askush nuk ka autoritetin ta prekë atë, por ta ruajë dhe ta zhvillojë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së deklaroi se nuk ka fatkeqësi më të madhe për flamurin e BE se ta mbante sot në dorë Edi Rama, i cili nuk lejon shqiptarët të votojnë.
“Edi Rama sot ngriti flamurin e BE-së para Kryeministrisë. Ai flamur është flamur vlerash, është flamur i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. Fatkeqësi më të madhe për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. Unë e kam deklaruar para jush, armik atë dhe ia kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse ai nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka, nëse nuk ke votën nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb