Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve në Qarkun e Shkodrës dhe ripërsëritje zgjedhjesh në këtë qark.

Ata kanë lënë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhësve, e cila njohu rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit në këtë qark, ku mandatet u ndanë, 5 për Partinë Demokratike, 3 për Partinë Socialiste dhe 2 për Partinë Social Demokrate.

“Bazuar në analizën e fakteve të administruara, KAS vendosi, rrëzimin e kërkesës ankimore të PD, lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për Qarkun e Shkodrës. Ky vendim hy në fuqi menjëherë, kundër këtij vendimi do të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, brenda 5 ditëve nga shpallja e këtij vendimi. Seanca e radhës fillon nesër në orën 10:00, me numërimin e QV të kërkuara”, tha anëtari i KAS

Pak më herët gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KAS, Marash Logu, renditi të gjitha parregullsitë që PD pretendon se kanë ndodhur në Qarkun e Shkodrës, gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve të 25 prillit në këtë qark.

Logu përmendi emra, që sipas tyre, kanë bërë të mundur deformimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, çka ndikoi më pas në rezultatin e zgjedhjeve.

Si përfundim, ai kërkoi që rezultati në këtë qark të shpallet i pavlefshëm dhe të ripërsëriten edhe njëherë.

“Më datë 9 maj, kemi bërë një kërkesë ankimore. Kemi kërkuar nga KAS mbledhjen e provave të tjera, e jam i sigurt nëse do të ndodhë do të vërtetohet ajo që ne kemi quajtur ‘masakra e 25 prillit’. Kemi parashtruar përpara këtij komisioni, që shtetasit Benet Beci, kandidat për deputet në Shkodër, shtetasi Tom Doshi, kandidat i PSD. Shtetasi Mark Babani, e shteasi Mark Frroku, ish deputet, në bashkëpunim me shtetas të tejrë, kishin ngritur në Qarkun e Shkodrës, një strukturë kriminale të mbledhjes së votave.

Për këtë qëllim, PD ka depozituar në SPAK, tre kallëzime penale, të cilat kemi pasur mundësi t’i relatojmë. Kemi kërkuar të merren informacione zyrtare për këto kallëzime. Vlerësojmë që marrja e këtij informacioni do iu shërbenin të gjithëve për një vendimmarrje më të drejtë. Fenomeni i shit-blerjes së votës ka qenë aq prezent në Qarkun e Shkodrës, vetë OSBE ka qenë vetë dëshmitare e shpërndarjes së parave gjatë ditës së zgjedhjeve. Kemi parashtruar po ashtu që ndihma ekonomike ishte një mjet e përdorur nga partia në pushtet.

Kemi parashtruar para këtij komisioni, fakti që lejet e legalizimit dhe ndërtimit u përdorën nga PS. Kemi parashtruar me fakte, që drejtuesit e PS në Shkodër premtonin leje legalizimi, certifikata pronësie. Kemi parashtruar shkelje të rënda, siç ishin karantimi i detyruar i emigrantëve, ku bëhet fjalë për 500 mijë prej tyre. Po ashtu, numër i lartë ka qenë edhe i votave të pavlefshme. Ne kemi parashtruar faktin që edhe në Shkodër pati raste të votimit të shumëfishtë, familjarë, e të tretët. Nëpërmjet teknologjisë kemi parë që 13 persona, janë përdorur për 34 zgjedhësve.

Hetimet e mëtejshme që do të kryhen, do të zbardhin të plotë çka ndodhur në këto qendra votimi. Jemi përpara rasteve të shkeljeve flagrante të ligjit. Për këto pretendime, vendosëm në dispozicion shpjegimet tona, në foto, video e dokumente, e kërkuam plot 19 herë që të zbardhet e plotë masakra zgjedhore e 25 prillit. Ne vlerësojmë që pretendimet që kemi ngritur, janë faktuar e vërtetuar.

Nga ana e këtij komisioni u refuzua kërkesa për marrjen e provave dhe kjo gjë e bën vendimin e mangët, të pacunguar, të paplotë. Në përfundim, kërkojmë nga ana e KAS, që të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun e Shkodrës dhe të kërkohet ripërsëritja e zgjedhjeve në këtë qark”, tha Logu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb