TIRANË- Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar sipas saj një skandal korruptiv të kryeministrit Edi Rama me kryepeshkopin Anastas Janullatos që ka të bëjë me qendrën e qytetit të Përmetit dhe projektin për kishën.

Sipas AK, Këshilli Bashkiak i Përmetit miraton sot prishjen e Pallatit të Kulturës. AK thotë se Rama me Janullatos ka bërë Pazar anti-kombëtar dhe shteti grek ka dhënë 1 mln euro për Kishën e Përmetit.

“Skandal korruptiv Rama-Janullatos në Përmet. Miratohet sot në KB të Përmetit prishja e pallatit të kulturës. Rama-Janullatos kanë bërë pazar anti-kombëta. 1 milion euro greke janë dhënë për kishën e Përmetit”, thuhet në reagimin e AK-së.

Ndërkohë që 2 këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Përmetit janë larguar nga PS pasi janë  kundër projektit dhe i janë bashkuar AK-së. Një prej tyre është këshilltari Dritan Hoxha. AK u ka bërë thirrje këshilltarëve të tjerë të mos shkatërrojnë Përmetin patriotik.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak Përmet: S’ka vendim për qendrën e qytetit
Pas deklaratave të Aleancës Kuq e Zi në lidhje me projektin për qendrën e Përmetit dhe pazare mes kryeministrit Rama dhe Janullatosit, ka reaguar kryetarja e Këshillit Bashkiak të Përmetit, Mira Hadili. Ajo tha se nuk ka vendim nga Këshilli Bashkiak për këtë projekt por ka pasur vetëm takime dhe se pallati i Kulturës nuk përfshihet.

“S’ka vendim nga Këshilli Bashkiak. Kemi bërë vetëm takime mbi projektin për qendrën. Pallati i kulturës nuk përfshihet në projektin për qendrën. Kemi diskutuar me qytetarët për rehabilitimin e qendrës”, tha Hadili.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb