Nga Ledi SHAMKU
Për së pari marr përsipër të them veç ato që di, se gjithologjia nuk është lëmi im “studimor”. Pra, nuk e kam parë të detajuar planin ristrukturues të institucioneve tona shkencore, por mesa pashë, përmblidheshin të gjitha në një Qendër Kombëtare të Kërkimit Shkencor, edhe Akademia po aty. Dhe kjo është një punë e mirë. Struktura të tilla ka dhe janë mjaft funksionale: CNR në Itali, CNRS në Francë. Madje ah sikur QKKSh-ja jonë t’ia dilte të kishte një Flotë Shkencore si dy fqinjët që përmenda! Po kush tha m’anë tjetër që nuk ia del? Modelet aty janë, vullneti i mirë duhet.

Tash vijmë te ajo që unë modestisht di dhe besoj e di mirë: A duhet të ktheheshim sot te modeli i dikurshëm: Akademi me Institute? Kam pasur dikur një komshi plak, quhej xhaxhi Miti. Rrugica ime dhe e xhaxhi Mitit ishte afër Kinema Republikës në rrugë të Kavajës. Doli një film “i jashtëm” një ditë dhe u dyndëm. Edhe xhaxhi Miti erdhi. Te ky filmi vdiste në fund njëri nga heronjtë për faj të një gabimi të vet. Qamë e u qurravitëm, e shamë “heroin” pse na pikëlloi, hamendëm si mund ta kishte shmangur dhe ikëm. Të nesërmen shoh xhaxhi Mitin prapë te biletaria e Republikës. “Po iki njëherë sot, – tha, – se mos ka vënë mend ai personazhi dhe shpëton!”.

“Xhaxhi Miti, ik në shtëpi, i thash, – se e ke film të parë. Po atë fund do ketë!”. Akademinë me institute bashkë e kemi film të parë. Kush e ripropozon si kundër reformë, të më ndjejë, po është tëpkë xhaxhi Miti vaktit! Aq më të pakuptimta janë thirrjet e kukushme se po u shkri Akademia do shkrihet dhe Albanologjia dhe Shqipëria do të deshqiptarizohet! Unë e kuptoj që leva e Arkimedit për opinionin shqiptar sot për sot mbetet çështja identitare, ndaj është punë e pamirë t’i mëshosh tinëzisht kot kësaj leve. Nuk “mbyllen” Studimet Albanologjike, madje kështu si janë sot për sot, janë thuajse të mbyllura, dhe të mbyllura prej kohësh. Të ashtuquajturat konferenca ndërkombëtare albanologjike përfshijnë e shumta studiues nga Kosova e Maqedonia, pra, le ta themi, që nuk janë aspak ndërkombëtare, por thjesht kombëtare e ndërshtetërore.

Albanologjia ka nevojë të shohë një film tjetër se plasi duke shkuar në kinema me xhaxhi Mitin e duke parë të njëjtin film, porse me uzdajë çdo herë për kismet të ri… Dhe në fund, shkenca nuk është vetëm Albanologjia! Po për pjesën tjetër të kërkimit shkencor, atë të “mbyllur” prej kohësh e prej dekadash, atë që nuk lidhet me identitetin kombëtar, por me prosperitetin ekonomik e social, si nuk ju ha meraku për të, apo ajo nuk jep “vota audience”?!

Siç ishte e pamë. Xhaxhi Miti është i ftuar të shohë një film të ri. Thonë që është film “kopjac”, kopjon filma italianësh, francezësh e gjermanësh. Po xhaxhi Miti e di që “kopjimi” është edhe shansi i vendeve të prapambetura si ky yni. “S’ka nevojë ta shpik prapë unë ujin e nxehtë për të bërë një rehato-dush në darkë” – thotë xhaxhi Miti se kaq gjë e mori vesh edhe ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb