Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj bëri me dije se ka nisur programi i Akademisë Diplomatike Kombëtare. Ky program synon jo vetëm edukimin e përgjithshëm të diplomatëve të së nesërmes, por edhe rritjen e njohurive të diplomatëve për historinë e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Përtej ligjëratave të pasura për historinë e diplomacisë shqiptare që prej orëve të para të shtetit shqiptar, aty, sikurse bën me dije kryediplomati Cakaj, do të ketë edhe shtjellime të hollësishme për politikën e sotme të Shqipërisë në rajon, procesin e integrimit evropian e politikat e Shqipërisë në organizata shumëpalëshe nga OSBE, NATO e deri tek Kombet e Bashkuara.

“Në frymën e përpjekjeve tona për t’i afruar e bashkuar shqiptarët sa më shumë, ky program do të jetë i hapur edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi. Fillimisht do të veprojmë online, e më pas do të takohemi bashkërisht në Tiranë, për të mbyllur fazën e parë të programit, në Nëntorin e festës kombëtare të flamurit kuq e zi.”- përfundoi Cakaj reagimin e tij. Për çdo detaj rreth aplikimit, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen tek link: https://bit.ly/2FXptck
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: