Këto ditë janë vendimtare për maturantët qe duhet të ndajnë mendjen se ku do të studiojnë. Akademia e Forcave të Armatosura me status të veçantë është një mundësi shumë e mirë për ata që ëndërrojnë të jenë pjesë e ushtrisë shqiptare.

Këtë vit është zgjeruar oferta akademike me dy profile te reja përveç shkencave ushtarake janë çelur dy programe të reja në Navigim dhe Komandim detar si dhe Teknologji Informacion në fushën e sigurisë.

Pasi të shpallen fitues maturantët që do të transformohen në kadetë do të marrin edukim universitar cilësor të harmonizuar me edukimin ushtarak.
“Kemi në total 60 kuota për maturantët, 40 kuota për programin bachelor në shkencat ushtarake, 10 kuota janë për programin Navigim dhe Komandim detar, nëse kanë dashuri për detin është një motiv për ta përzgjedhur, përveç faktit se ata do të punësohen dhe do jene pjese e FA, programi plotëson të gjitha standardet që ata të plotësohen në sektorin privat dhe 10 kuota janë dedikuar për Teknologji Informacion në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, -tha gjatë intervistës për gazetaren e News24 Aurora Golemi, Blerina Vorpsi, drejtoreshë e kurrikulave dhe sigurimit te Cilësisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Nuk mungojnë privilegjet nëse vendosni të jeni pjesë Forcave e Armatosura. Drejtoresha e Kurrikulave dhe sigurimit te Cilësisë në Ministrinë e Mbrojtes Blerina Vorpsi thotë se kadetëve u sigurohet një pagë mujore prej 330 mijë lekësh të vjetra dhe kanë mundësi për të studiuar në akademitë më prestigjioze ushtarake në botë, por mbi të gjitha në fund të studimeve i pret një vend pune i sigurt.

“Ne kemi investuar shumë për kadetët tanë si dhe për pasurimin e programeve. Së pari maturantët garantojnë të ardhmen e tyre. Do kenë të garantuar të paktën 6 vite punësim të sigurt pas përfundimit të studimeve. Ata nuk do të paguajnë asnjë tarifë për studimet e tyre përgjatë gjithë studimeve. Çdo muaj kadetëve u sigurohet një pagë mujore deri në përfundim të studimeve. Studentët tanë e kanë akomodimin dhe ushqimin falas, ofrohen gjithashtu bursa studimi për ekselentët në akademitë më prestigjioze në ShBA, në Angli, në Turqi apo në Gjermani”. –u shpreh Blerina Vorpsi, drejtoreshë e kurikulave dhe sigurimit te Cilësisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Por kujdes, para se të aplikoni mos harroni se mosha, gjatësia dhe gjendja shëndetësore por edhe pastërtia e figurës janë kritere të forta përzgjedhjeje si për djemtë ashtu dhe për vajzat.

“Duhet të aplikojnë të gjithë ata mes moshës 18 deri në 22 vjeç, kemi edhe kriterin e gjatësisë, minimumi duhet të jetë 1.65 cm për meshkujt dhe 1.60 për vajzat. Por ne shikojmë edhe gjendjen fizike, pasi aplikantët do t’i nënshtrohen testit fizik. Kriteret që përmenda janë të publikuara në faqen U-albania.al. pra në platformën online ku janë të publikuara të gjithë programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat. Në këtë platformë maturantët mund të zgjedhin një nga programet tona të studimit që ofron Akademia e Forcave të Armatosura, por nuk ka kufizime ju mund të përzgjidhni edhe të studioni në tre programet tona, në programin bachelor për Shkencat Ushtarake, për programin bachelor për Navigim dhe Komandim detar si dhe në programin e tretë bachelor për Teknologji Informacion në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Blerina Vorpsi, drejtoreshë e kurrikulave dhe sigurimit te Cilësisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Drejtoresha e Kurrikulave dhe sigurimit të Cilësisë në Ministrinë e Mbrojtjes fton maturantët të aplikojnë dhe tregon mënyrën si mund të fitojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura
“I ftoj maturantët të aplikojnë në raundin e parë duke filluar nga sot deri në 3 gusht, dhe më datën 9 me 13 gusht ata të paraqiten për të aplikuar për konkursin. Nga data 16 deri në 20 gusht, të paraqiten këtu për të zhvilluar testimet, të cilat janë testi fizik, testi intelektual, dhe intervista e pranimit, por edhe për kontrollet mjekësore që kryhen këtu” –informoi maturantët, Blerina Vorpsi, drejtoreshë e kurrikulave dhe sigurimit te Cilësisë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga statistikat e viteve të kaluara, rezulton se Akademinë e Forcave të Armatosura e kanë përzgjedhur kryesisht maturantë nga Shqipëria e Mesme, ndërsa 25% e kadetëve që pas tre vitesh studimi do të emërohen nëntogerë janë vajza.

Programet e studimit në Akademinë e Forcave të Armatosura:
1. Bachelor në shkenca ushtarake – 40 kuota
2. Bachelor në navigim dhe komandim detar në fushën e mbrojtjes – 10 kuota
3. Bachelor në teknologji informacioni në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë- 10 kuota
Afatet e aplikimit për raundin e pare janë: 29 korrik me 3 gusht

Aplikimi behet përmes portalit ualbania.al
Pas shpalljes së rezultatit paraprak te fitueseve, kandidatët fitues duhet të paraqiten pranë AFA për t’u regjistruar dhe marrë pjesë në konkursin institucional të AFA.
Aplikimi për regjistrim në konkursit institucional është 9 me 13 gusht.
Dokumentacion për regjistrim:
– Mandat pagesa
– ID (karte identiteti ose pasaporte). Ne dosje mbahet vetëm fotokopja;
– Fotokopjen e noterizuar te diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose te një dëftesë/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe te njehsuar në QSHA;
– Deklaratën në shtojcën 1 te udhëzimit të MASR nr. 10, nr.10, datë 15.05.2019 ‘Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë, të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe ne programet e integruara të ciklit të dyte te studimeve, ne institucionet e arsimit te larte’, të ndryshuar”. e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të AFA-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.

– kërkesën me shkrim;
– formularin me të dhëna personale;
– fotografi për dokument (4×6), 2 copë;
– certifikatë familjare, 1 copë;
-formular i vetëdeklarimit për gjendjen shëndetësore, i cili plotësohet pranë Sekretarisë së AFA-së, në momentin e dorëzimit të dokumentacionit
– formular i vetëdeklarimit, i cili gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes (www.mod.gov.al/baza ligjore);
– raport mjekësor i aftë për studime, lëshuar nga mjeku i familjes i qendrës shëndetësore të vendbanimit të kandidatit, shoqëruar edhe me një raport shpjegues, ku deklarohet se kandidati është i shëndetshëm, nuk ka sëmundje kronike, infektive, të shëndetit mendor në anamnezën e tij personale dhe nuk është përdorues i lëndëve narkotike;
– ekzaminimet mjekësore për agjentë infektiv (Hepatit B, Hepatit C, Hepatit D, HIV/AIDS, Sifiliz), grupin e gjakut dhe lëndë narkotike, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe/ose bankat e gjakut apo drejtoritë e Shëndetit Publik në prefekturat apo rrethet ku banojnë, si dhe testet për lëndë narkotike nga laboratorë të certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Konkursi institucional 16 – 20 gusht.

Dokumentacion për regjistrimin e fitueseve pas konkursit:
– dëshmi penaliteti;
– vërtetim nga gjykata;
– vërtetim nga prokuroria;
– vërtetim nga përmbarimi;
Privilegjet nëse do jeni pjese e Forcave të Armatosura
-Pagesë mujore 330 mijë lekë të vjetra për çdo kadet për të gjithë periudhën e studimit
-Akomodim dhe ushqim falas për tre vitet e studimit në Akademi
-Tarifë studimi zero lekë në vit
– Punësim i sigurt pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Forcave të Armatosura
– Mundësi studimi ne programe master dhe trajnime ne fusha te ndryshme në akademitë më të mira në BE, SHBA, Angli

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb