NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Një ditë më parë “Gazeta Shqiptare” botoi një letër të hapur të deputetes e gjuhëtares Ledi Shamku Shkreli, e cila shprehej se Fjalori i Akademisë Malazeze fyen shqiptarët. “Ndjehem thellësisht e fyer nga kjo faqe fjalori drejtuar etnisë sime shqiptare. I kërkoj zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, që në respekt të së vërtetës shkencore dhe të Konventave Europiane të Bashkëjetesës, ta tërheqë një orë e më parë këtë fjalor nga qarkullimi, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve e duke ndrequr shtrembërimet e rënda në të”.

Shamku nuk ishte e para që ankohej për fjalorin. Më herët, në Mal të Zi, fjalori ishte konsideruar fyes, nga pedagogia e Universitetit të Cetinjes Jelena Shushanj dhe deputeti shqiptar në Parlamentin malazez Nik Gjeloshaj. Konkretisht, problematike dhe fyese janë konsideruar zërat e mëposhtëm:

“1. ALBANIZACIJA- (albanizimi)- imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare- duke pyetur ka dhënë disa përgjigje- në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sistematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës së II Botërore.
2. Albaniziranje- ose- albanizirati
3. Albanizirati- do të thotë, se edhe pse malësoret (malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe”. Reagimi i Akademisë Së Shkencave të Shqipërisë Njoftim në lidhje me shqetësimin për paraqitjen e shqiptarëve në Fjalorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi: Gjatë dy ditëve të fundme në ndonjë të përditshme shqiptare është shprehur shqetësimi për mënyrën e paraqitjes së shqiptarëve në fjalorin e botuar së fundmi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Zëdhënësit e këtij shqetësimi, sipas të cilëve në fjalor shqiptarët janë agresorë dhe okupatorë, i janë drejtuar edhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke kërkuar prej saj të shprehë qëndrimin e vet.

Megjithëse Akademia e Shkencave e Shqipërisë ende nuk e ka në duar fjalorin, për të gjykuar me qetësi dhe arsye, mund të pohojmë fillimisht se në zërat e cituar në asnjë rast nuk janë përdorur për shqiptarët përcaktimet agresorë dhe okupatorë. Po ashtu, në asnjë prej zërave të cituar nuk bëhet fjalë për albanizim të banorëve të Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës, Gucisë, Ljarjes, Briskut e Shestanit, siç është pohuar. Polemika ka marrë shkas prej zërit albanizacija, albanizim, që shenjon proces dhe jo përcaktim etnik. Ndërsa emërtimi malësorë, sikurse dihet, nuk është ndonjë shpikje e këtij fjalori, sepse ekziston si i tillë tek vetë shqiptarët (Àt Gjergj Fishta: Bini lekë, bini malcorë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka kërkuar të njihet me këtë botim të ri të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, që ende nuk është e qartë në është një fjalor enciklopedik apo thjesht gjuhësor. Ajo ka kërkuar të njihet me tërë përmbajtjen e këtij botimi dhe duke pasur një pamje të qartë e tërësore të mënyrës së paraqitjes së shqiptarëve, si dhe duke iu referuar një përkthimi profesional, do të shprehet me qëndrimin e saj.

Është rasti të kujtojmë këtu se në fushë të shkencave çështjet nuk zgjidhen me retorikë dhe me flamur shpëtimtari, por në mënyrë adekuate. Pikërisht për këtë arsye kujtojmë me vlerësim se ishte një arritje e rëndësishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, u arrit botimi maqedonisht i Historisë së Shqipërisë, me autor akademikun e ndjerë Kristo Frashëri, botim që zgjidhi përfundimisht polemikat e gjata në lidhje me Enciklopedinë e Maqedonisë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka një partneritet të frytshëm pune dhe kërkimesh me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi dhe nëse do të rezultojë e nevojshme, do të kërkojë shpjegime dhe rektifikime prej saj.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: