Biblioteka e Akademisë së Forcave të Armatosura pasurohet në prag të nisjes së vitit të ri akademik, i cili pas një shkëputje 10-vjeçare do të presë kadetët për të ndjekur ciklin bachelor për shkenca ushtarake.

Akademia e Shkencave dhuroi 220 tituj dhe rreth 600 kopje librash, të cilët i shtohen fondit prej 8 mijë titujsh të bibliotekës së Akademisë së Forcave të Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka falenderoi Akademinë e Shkencave dhe kryetarin e saj për këtë kontribut në prag të nisjes së vitit të ri akademik. Sipas saj, pandemia e kohët e vështira që po jetojmë nuk duhet të jenë pengesë për të orientuar përherë e më shumë brezin e ri dhe oficerët e FA drejt librit e dijes.

“Nuk ka investim më të rëndësishëm sesa investim te dija, pavarësisht se sa të mira janë pajisjet apo sa të mëdha janë buxhetet tona. Nëse nuk kemi një forcë të të mirëarsimuar, mirëtrajnuar e profesioniste për t’u përballur me sfidat e sotme, nuk do t’ia dalim të jemi një vend aleat me të gjitha kapacitetet.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, profesor Skënder Gjinushi u shpreh se institucioni që ai drejton e ka në politikën e tij që të dhurojë botimet e veta dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që këtë kontribut e dhurojnë, siç u shpreh ai, një institucioni kaq prestigjoz si Akademia e Forcave të Armatosura.

Titujt e dhuruar janë botime të Akademisë së Shkencave dhe do të ndihmojnë në formimin profesional dhe kulturor të ushtarakëve të rinj. Shumica e titujve të dhuruar trajtojnë tema historike për popullin tonë dhe gjuhën shqipe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb