Akademia e Shkencave ka nderuar me titullin “Nderi i Akademisë”, rektorin e Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka.

Ishte pikërisht kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ai që i dha titullin profesorit.

“Zotit Et’hem Ruka i jepet titulli ‘Nderi i Akademisë” me motivacionin për veprimtarinë e tij të suksesshme në fushën e biologjisë, kimisë me kontribute të mirënjohura, në arsim dhe shkencë. I vlerësuar si një ndër specialistët kryesor të fiziologjisë së botës së gjallë, me një rol të spikatur si pedagog dhe botimin e qindra artikujve kërkimore e përshtatjen e librave dhe dhjetra shkrimeve popullarizuese, veprimtar me stimë dhe nderim.”, tha Gjiknuri.

Në këtë ceremoni nuk mund të mungonte dhe fjala e profesor Rukës, i cili theksoi se ishte i nderuar me këtë titull. Madje ai pohoi se pikërisht në vitin që u themelua Akademia e Shkencave, nisi dhe karrierën e tij akademike.

“Ndihem i nderuar që në 50-vjetorin e krijimi të Akademisë më jepet një vlerësim kaq i lartë. Karrierën time akademike e kam filluar në të njëjtin vit me themelimin e Akademisë. Jam pjesë e një trupe që kanë nxjerrë personalitete të shquara. Do të përmendja që kemi nxjerrë një president të nderuar siç është Rexhep Mejdani. Në fakultetin e Shkencave të natyrës kanë dalë më shumë se 13 akademikë. I ka dhënë 4 ministra Arsimit, i ka dhënë parlamentit shqiptar shumë parlamentarë të nderuar Përshëndes mirënjohjen për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë dhe i uroj suksese në sfidat që ka përpara”, pohoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb