Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar një letër komitetit të Nobelit, duke i propozuar Ismail Kadarenë për çmimin e madh të letërsisë. Lajmi konfirmohet nga prof. Floresha Dado, Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, të Akademisë së Shkencave. Ajo tregon në “Gazeta Shqiptare” se cilat janë argumentet me të cilat Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka argumentuar propozimin e bërë, ku veç vlerave të letërsisë së Kadaresë, përmendet edhe: “Si shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme, ballkanike dhe evropiane; Si shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij.

Ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës”.
“Nëse kritika botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë nuk di se cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin ‘Nobel në Letërsi’?”-pyet Prof.Floresha Dado. Pyetjes se sa merren parasysh këto propozime, ajo i përgjigjet: “Nuk mund të them se në ç’masë merren parasysh propozimi dhe argumentet që përcjell Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht Komiteti i Nobelit ka kriteret e veta”. Ndërkaq Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës e kanë shpallur këtë vit, vitin e Kadaresë dhe kanë bërë me dije kalendarin e aktiviteteve.

– Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka propozuar Ismail Kadarenë për çmimin “Nobel”. Çfarë është shkruar në letrën dërguar komitetit të Nobelit?
Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka rinisur komitetit të Nobelit, të Akademisë Suedeze, propozimin për të vlerësuar me çmimin e lartë shkrimtarin tonë të madh, me përmasa botërore, Ismail Kadare. Në të vërtetë ka qenë e vështirë të paraqiteshin, në pak faqe, vlerat shumëdimensionale të këtij prozatori, poeti dhe eseisti të shquar. Prandaj në argumentimet e propozimit tonë jemi përqendruar në disa boshte kryesore, që kanë të bëjnë me dimensionin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe mendimtarit, që i kapërcen kufijtë e kulturës shqiptare:
– Si shkrimtari më i madh i letërsisë moderne shqiptare, me famë botërore, që i ka dhënë përmasa të veçanta gjithë letërsisë bashkëkohore, si në problematikat e trajtuara, ashtu edhe në strukturat e jashtëzakonshme, origjinale dhe të magjishme të ligjërimit artistik.
– Model i faktit se si kultura universale, botërore, pasurohet nga tradita artistike e popujve të vegjël, siç është ajo shqiptare, e cila është produkt i njërit prej popujve më të vjetër të Ballkanit.
– Si prozator modern, që zgjeroi artistikisht paralelet, asosacionet e legjendave dhe mitologjisë kombëtare dhe ballkanike. Ai i dha letërsisë evropiane dhe botërore vlera të jashtëzakonshme të kulturës rajonale, me ngjyrat më karakteristike të konceptimit artistik modern.
– Si shkrimtar, i cili, përmes veprave të tij përcjell një tingëllim të fuqishëm për ngjarje historike dhe aktuale, duke i dhënë prozës së tij një hapësirë universale, ndërnjerëzore.
– Si shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme, ballkanike dhe evropiane.
– Si shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij. Ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës.
– I. Kadare është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që nga viti 1996 anëtar i Akademisë Franceze, është vlerësuar me titullin ‘doctor honoris causa’ në disa universitete, është nderuar me “Prix Mondial Cino Del Duca” in 1992, Çmimin Ndërkombëtar “The Books International Man” in 2005, Çmimin Ndërkombëtar “Prince of Asturias” in 2009, Chevalier, Officier dhe së fundi “Commandeur de la Légion d’honneur”, në 2015 dhe me shumë e shumë çmime të tjera.
– Për vlerat e jashtëzakonshme artistike dhe të mesazheve universale, që përcjell, vepra e I.Kadaresë është përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sotme.

– Ju keni dërguar edhe më herët një propozim të tillë për Kadarenë, si janë procedurat?
Sigurisht propozimi bëhet mbas kërkesës zyrtare, që vjen nga komisioni i Nobelit, i Akademisë Suedeze. Në përgjigje të kësaj letre, Akademia e Shkencave ka dërguar propozimin për t’i dhënë çmimin ‘Nobel’ I.Kadaresë edhe në vitin 2012.
Por, në propozimin që kemi nisur tani, krahas vlerësimit të disa aspekteve të krijimtarisë së shkrimtarit tonë të madh, kemi përcjellë, për herë të parë, edhe një Fletë-Aneks, ku pasqyrohet informacioni i plotë mbi të gjitha gjuhët në të cilat janë përkthyer dhe botuar veprat e Kadaresë, shoqëruar edhe me numrin e botimeve në secilën gjuhë. Kështu, mendoj se nuk ka si të mos jetë impresionuese për komitetin e Nobelit fakti që vepra e Kadaresë ka njohur 1301 botime në 45 gjuhë të ndryshme.
Mendoj se dy argumentet: Një numër kaq i madh përkthimesh në gjuhët e ndryshme të botës dhe vlerësimet e jashtëzakonshme që kritika botërore ka bërë për këtë shkrimtar, nuk do mund të kaloheshin pa vëmendjen e merituar. Nga ana tjetër, fakti që shkenca, mendimi kritik-letrar shqiptar përcjell vazhdimisht në komitetin e Nobelit emrin e Ismail Kadaresë, është shprehje e bindjes sonë për vlerat e jashtëzakonshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të këtij shkrimtari, i cili duhet të marrë vlerësimin e merituar.

– Sipas jush, sa merren parasysh këto propozime nga shtetet për Nobelin?
Nuk mund të them se në ç’masë merren parasysh propozimi dhe argumentet që përcjell Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht komiteti i Nobelit ka kriteret e veta. Por mendoj se: Nëse një shkrimtar vazhdon të përkthehet në shumë gjuhë të botës (pra është bërë pjesë shpirtërore e lexuesve të vendeve të ndryshme të botës) dhe, nëse kritika botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë nuk di se cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin ‘Nobel në Letërsi’?
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: