TIRANË- Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndet vendimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s lidhur me propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Ne shpresojmë të finalizohet me votimin e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor 2015. Përveçse rezultat i përpjekjeve dhe kontributit të institucioneve të Republikës së Kosovës, ky zhvillim i pritshëm konfirmon mbështetjen dhe orientimin pozitiv të shteteve të ndryshme dhe të institucioneve ndërkombëtare. Tashmë institucionet e Republikës së Kosovës kanë kohë që janë bërë pjesë e rrjeteve të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, si një proces i natyrshëm dhe me përfitime të mëdha për të gjitha palët e përfshira sidomos në fushën e shkencës, arsimit, sportit, kulturës”, deklaron ASHSH.

Sipas Akademisë së Shkencave, në vitet e fundit, institucionet respektive në Kosovë kanë krijuar ura bashkëpunimi dhe janë në proces integrimi në strukturat rajonale e evropiane. “Me këtë rast ne përshëndesim predispozicionin, mbështetjen dhe qëndrimet  pa paragjykime edhe në këtë rajon ndaj të drejtës legjitime të Kosovës për t’u përfaqësuar në organizmat ndërkombëtare. Integrimi sa më i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës në institucionet dhe forumet ndërkombëtare i shërben si popullit dhe strukturave të Kosovës, por edhe partnerëve në rajon, Europë e më gjerë, në një marrëdhënie që ka vetëm palë të fituara, të interesuara për prosperitetin, stabilitetin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”, shprehet ASHSH.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb