Fenomenet ekstreme të natyrës parë si çështje të sigurisë mblodhën në një konferencë shkencore ndërkombëtare, akademikë, studiues, profesorë nga vendi dhe bota të cilët prezantuan punimet e tyre që rroknin fushën e emergjencave civile, tashmë të shndërruar në një nga shtyllat jetike të sigurisë publike.

Lektorët sollën prurje shkencore teorike e eksperiencë praktike me informacion të bollshëm mbi përgjegjësinë dhe vetëdijen e institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit si dhe gjithë shoqërisë.

“Shume shkencëtarë të vendit, por edhe të huaj kanë dhënë rekomandime të cilat ulin ndjeshëm riskun nëse do të ndodhin në të ardhmen fenomene të tilla, nuk duhet të presim më nga qielli a do ketë tërmet apo pandemi, ne duhet të përgjithësojmë eksperiencat tona më të mira do ia japim publikut të mbrohet dhe institucionet tona duhet të ulin riskun për këto fenomene të natyrës”, tha Bilbil Mema, rektori i Akademisë së Sigurisë.

Universiteti “Luarasi” ishte pjesëmarrës në konferencë me pedagogun e saj dhe njëkohësisht drejtorin e qendrës Kërkimore Shkencore në Akademinë e Sigurisë, Xhavit Shala. Në referimin e tij Shala tha se rreth 86% e territorit të vendit është ekspozuar ndaj dy ose më shumë rreziqeve natyrore duke na futur në rreth të kuq pasi 88% e PPB gjenerohet në këtë zonë. Interesante janë gjetjet e një sondazhi të kryer në vitin 2020 ku të anketuarit rreth 60.1% e tyre perceptojnë si rrezik për sigurinë e jetës së tyre aksidentet automobilstike, më pas pandeminë ndjekur nga krimi mjedisor dhe tërmeti.

“Si konkluzion i kësaj mund të nxjerrim se për tërmetet dhe pandemitë konceptohen si rreziqet më të mëdha krahasuar kjo me sulmet terroriste dhe krimin e organizuar”.
Po në rast fatkeqësie, të anketuarit do telefononin të parën Policinë e Shtetit.

“87.7% e tyre nuk kanë komunikuar dhe thonë se nuk ju takon të komunikojnë me njësitë që janë përgjegjëse për të menaxhuar fatkeqësitë natyrore, ata presin tua zgjidhin gjithë të tjerët”.

Edhe pse tingëllon e habitshme, në letrat e strategjisë për sigurinë Kombëtare Pandemia vlerësohet si rrezik i nivelit të dytë. “Nuk është bërë një vlerësim i kërcënimit siç duhet, dhe u kthye në kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb