Në Akademinë e Sigurisë, u zhvillua ceremonia e diplomimit të oficerëve të rinj dhe e fillimit të Kolegjit të Policisë. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rektori i Akademisë së Sigurisë, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe qindra oficerë, përfaqësues të brezit të ri të Policisë së Shtetit.

Ky fillim viti akademik shënon një event shumë të rëndësishëm për studentët e Akademisë së Sigurisë dhe për Policinë e Shtetit në tërësi, pasi 42 studentë të ekselencës integrohen në struktura të ndryshme të Policisë, me qëllim dhënien e kontributit të tyre, për pëmbushjen efikase të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë.

Ndërkaq, 246 punonjës policie, të diplomuar me rezultate të larta, janë gati të dalin në terren 24/7, për të kontribuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Gjithashtu, 225 studentë të tjerë i integrohen për herë të parë edukimit dhe formimit policor elitë, në Akademinë e Sigurisë, duke e konsideruar Policinë e Shtetit si zgjedhje të parë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre, si individë dhe si profesionistë.

Deklarata e plotë: 

“Fillimi i një viti të ri akademik nuk shënon thjesht dhe vetëm nisjen e një viti të ri mësimor për Akademinë e Sigurisë. Tetori për Akademinë, është një hov i ri, një mundësi dhe mendësi e re, një buqetë shpresash të reja dhe të gjitha këto i injektohen pikërisht nga secili prej jush, misionit fisnik të Policisë së Shtetit.

Ndonëse dekada larg asaj dite, të qenit sot përballë jush, më krijon nostalgji dhe më sjell kujtime të paharrueshme të ditës kur shumë i vendosur dhe tërësisht i motivuar nga ndjenja e atdhedashurisë, mora vendimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Në kushte tejet të vështira logjistike dhe në një kohë krejt tjetër për imazhin publik të Policisë së Shtetit, nuk e kisha aspak mision në vetvete, mbërritjen e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por sot, teksa e mbaj në supe këtë peshë dhe përgjegjësi, ju këshilloj që ju ta ëndërroni dhe ta keni misionin tuaj të lartë, rritjen profesionale dhe ngjitjen e shkallëve të karrierës brenda strukturës së Policisë së Shtetit.

Dëshira për t’u promovuar në rradhët e Policisë së Shtetit duhet të ecë paralelisht me punë dhe investim nga secili prej jush, për arritjen e këtij qëllimi, si dhe duhet të shoqërohet domosdoshmërisht nga një dhe vetëm një kriter, integriteti i lartë dhe i pacënuar, si individ, si profesionist, si bashkëqytetar, me këdo ndaj të cilit do të zgjatni dorën e drejtë të ligjit.

Sot, ju keni fatin dhe privilegjin e madh të bëheni pjesë e një policie, tërësisht të ridimensionuar, me një kornizë ligjore të standardeve të Bashkimit Europian, me rezultate shumë pozitive në përmbushjen e misionit të saj, luftën kundër fenomeneve kriminale dhe me ambiente të shtuara dhe tërësisht të rinovuara.

Ju vendosët të jepni kontributin tuaj në shërbim të vendit duke u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, e cila tashmë është një polici e standardeve europiane, që integrohet si e barabartë me homologët dhe e besueshme prej tyre, për realizimin e operacioneve komplekse ndërkombëtare dhe që ka imazhin e një organizate transparente dhe të besueshme te qytetarët të cilëve iu shërben.

Ky reformim rrënjësor i Policisë “sot”, në krahasim me Policinë “dje”, shoqërohet jo vetëm me benefite, por edhe me një sërë përgjegjësish për secilin prej jush.

Gjatë çdo dite të detyrës suaj në secilën strukturë ku do të integroheni, kujtojini vetes se ju jeni modeli, ju jeni pika e referencës dhe etaloni mates i vlerësimit qytetar dhe i shtetit, i cili iu ka ju, në qendër të funksionalitetit të tij.

Secili prej jush, me personalitetin dhe profesionalitetin e tij apo të saj përbën shembull për t’u ndjekur në komunitetin, të cilit do t’i shërbeni. Imazhi juaj është imazhi publik i vendit tonë, është vlera dhe rëndësia që ka jeta, prona dhe siguria e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Prania ime sot përkon me 3 evente të rëndësishme për brezin e ardhshëm të Policisë së Shtetit.

Së pari, ekselenca e Akademisë së Sigurisë i injektohet sot rradhëve të Policisë së Shtetit.

Është privilegj dhe kënaqësi e veçantë për mua si Drejtor i Përgjithshëm të konstatoj se efektivët e Policisë së Shtetit sot, i japin rëndësinë që meriton, shkollimit dhe formimit policor.

Aktualisht, imazhi i një punonjësi policie ka një efekt të mirëfilltë social dhe mediatik, andaj është shumë e rëndësishme që të ju të informoheni dhe të edukoheni gjerësisht si profesionistë, por dhe si qytetarë, në mënyrë që të përmbushni sa më cilësisht, detyrat tuaja funksionale.

Angazhimi i studentëve të ekselencës drejtpërdrejt në strukturat e Policisë së Shtetit do të rritë cilësinë e hetimeve, në luftë ndaj fenomeneve globale kriminale në fushën e krimeve ekonomike dhe kibernetike.

Së dyti, brezi i ri i Policisë së Shtetit angazhohet sot pranë patrullave të përgjithshme, me objektivin e qartë, ofrimin e një shërbimi të motivuar, 24/7, në funksion të kontrollit te territorit, rendit dhe sigurisë publike në vend.

Punonjësit e Policisë duhet të jenë të gatshëm për të asistuar çdo qytetar në nevojë, si dhe për të trajtuar me profesionalizëm e paanësi, hap pas hapi, në terren, rastet, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre, në zbatim të kompetencave që iu jep ligji.

Së treti, dita e sotme shënon edhe fillimin e formimit akademik për specialistët e Hetimit të Krimeve. Kjo fashë ekspertësh do të mbështetet gjatë formimit akademik, me pajisjet dhe sistemet e fjalës së fundit të teknologjisë, të cilat do t’i kenë plotësisht në funksion të tyre, për t’u arsimuar dhe përgatitur profesionalisht, me qëllim që në të ardhmen të kontribuojnë në parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Specialistët e Hetimit të Krimeve trajnohen sot nga ekspertët më të mire, vendas, europianë dhe amerikanë, për t’u bërë pararojë dhe luftëtarë të denjë ndaj kriminalitetit në dimensionet e reja teknologjike në të cilat ai shfaqet.

Së fundi, dua t’ju kujtoj se shkollimi është pasaporta më e mirë për të ardhmen dhe investimi që do t’u këmbehet me interesat më të larta në shërbim të qytetarëve të Republikës dhe të ecurisë suaj në karrierë, për ju si brezi i ardhshëm i Policisë së Shtetit.

Shkollimi dhe edukimi janë edhe më shumë, janë imazhi juaj përballë qytetarëve, janë zotimet që u jepni atyre për shërbim të denjë dhe cilësor dhe janë trampolinat e vetme që do t’ju bëjnë që një ditë të flisni, uroj në një podium shumë herë më të sofistikuar se ky, në detyra menaxheriale dhe drejtuese, pse jo edhe në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që është ëndrra dhe misioni ynë i përbashkët.

Luftoni me integritet drejt ëndrrave tuaja dhe mos harroni kurrë se jeni pjesë e Policisë së Shteti shqiptar, në shërbim të qytetarëve!

Ju falënderoj dhe ju uroj suksese në misionin tonë fisnik, në shërbim të qytetarëve.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb