I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën, ish-deputeti Ditmir Bushati, foli mbi rolin e Akademisë Politike të PS ku së fundi bën pjesë. Bushati tha se pritshmëritë e mandatit të tretë, janë të mëdha ndaj edhe është e nevojshme sipas tij një ridimensionim i rolit të partisë.

“Shqipëria është në një etapë tjetër, qoftë në raport me sfidat që ka rajoni por edhe për sa i përket një konteksti të ndryshëm gjeopolitik në të cilën ne duhet të dimë se si të navigojmë. Jemi në kushtet kur PS i është besuar qeverisja për herë të tretë. Ka pritshmëri por ka edhe padurim dhe për këtë shkak nevojitet një ridimensionim i rolit të partisë në këtë mandat të tretë. Jo rastësisht kemi përcaktimin e të deleguarve politikë në të 12 qarqet e vendit, kemi turin e sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarit organizativ të partisë nëpër qendrat e qarkut dhe nëpër të gjitha asambletë për të dhënë mesazhin e qartë që partia nuk është thjesht një mekanizëm elektoral që mblidhet një herë në dy apo katër vite, kur janë zgjedhjet vendore apo të përgjithshme, por duhet të jetë një trup energjizues që kontribuon dhe kontroll qeverisjen e vendit, që bëhet pjesë e promovimit të politikave kryesore publike, kontrolluese dhe në një mënyrë a tjetër vendos me shpatulla pas muri përfaqësues politik që nuk janë në gjendje për të jetësuar këto politika. E dyta na nevojitet një parti dhe një hapësirë politike, që bën një debat bazuar mbi një bosht vlerash dhe një bosht programatik. Kemi nevojë që partia të çimentohet më tej si një parti e cila bazohet te progresi, zgjedh që të ushtrojë aktivitetin politik brenda radhëve tona dhe jo brenda radhëve të PD. Si një parti që bazohet te komuniteti dhe kjo është arsyeja që parti politike moderne kanë ndërtuar institucione ku jo vetëm fuqizojnë komponentin identitar, identifikojnë talente të reja dhe shërbejnë si enë komunikimi për sa i përket zhvillimeve kryesore në vend.” u shpreh Bushati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb