Akademiku Artan Fuga përmes një statusi në Facebook tregon një histori me fqinjin e tij me se si dikur shihnin në televizion të njëjtat filma, apo programe të huaja falë parabolës, duke ironizuar edhe tv e sotme.

STATUSI I PLOTE

Televizioni me parabolë dhe fqinji im Taku!
Sapo kishin dalë antenat parabolë. Unë nuk kisha lekë ta blija. Taku, komshiu im zemërmirë, kishte lekë sepse atë kohë shiste “vjetërsina”, priza, fije kordonash, te tregu elektrik. Diku e kishte psonisur atë antenë parabolike që na pataksi të gjithëve.
Taku kishte parabolë. Vetëm fjala të mahniste.
E montoi bukur Taku parabolën mbi çati. Një mur na ndante. Taku shihte dhjetra kanale televizive si t’ja donte shpirti atij dhe nuses e kalamjave të vet. Mendonim ne! Një farë xhelozie lindi gjithsesi. Taku me parabolë, ne asgjë.
Si duket Taku e ndjeu këtë dhe një ditë nga pas murit bërtiti : O Tanooooo! O me Tak ç’kemi? – i thashë unë a thua nuk kisha ndonjë gjë të veçantë.
Nigjo ktu – më tha, po të japish kabllin e televizorit tat, ta lidh ke parabola ime ene ti kap njisoj si unë me parabol.”
Masnej parabol un, parabol ti!
Taku e kishte strategjik këtë propozim. Sepse pavarësisht se na ndante një mur, unë kisha lidhje elektrike me lagjen tjetër. Kur lagjia e Takut nuk kishte drita Taku më hidhte një kabëll elektrik që unë e fusja te një nga prizat e mia dhe Taku pastaj kishte energji elektrike, ujë, gjithçka.
Taku kishte frikë se mos unë i zemëruar ngaqë nuk kisha parabolë, e lija pa sinjal elektrik.
Ai, kopil, donte të shkëmbente në rast emergjente sinjal televiziv me sinjal elektrik.
Mir me Tak’ – i thashë në gjuhën e tij, ja ta jap tani kabllin e televizorit tim.
Taku e mori, i shkathët, hypi zbathur në çati dhe e lidhi telin tim me parabolën e tij. I qeshi buza duke më parë nga maja e çatisë mua poshtë:
“Komshillik maaaa! Nuk ka hiç fije lezeti që un ta kap parabolën, ene tina mos ta kapsh!”
Rrofsh o Tak – i thashë, ta shpërblefsha me korrent!
Aty nga pasditja hapa televizorin tim, duke menduar që e kisha mbyll duke pa një emision te Rtsh që kapej edhe me një kanoçe teneqeje lidhur me një shkop në hatllat e shtëpisë.
Kisha harruar fare se kishim bërë një aleancë strategjike me Takun. Kur befas aty nga ora tetë e darkës, natë dimri, televizori im u çmend!!!
U çmend fare ore po ju them!
Pa e lëviz njeri ndryshonte stacionet. U llahtarisa. Shihja telekomandën mbi divan të hedhur atje tej dhe brenda meje më kapi një ankth i pashoq: Cili shpirt i vjetër lëvizte telekomandën time! Ma shëtiste kanal më kanal.
Pas pak ndaloi te një stacion turk ku shfaqej një film me dashuri të zhgënjyer dhe heroina e filmit qante me llainga. Bëj ta heq nga ai kanal, as bëhej fjalë. Sapo e coja te rtsh për të dëgjuar e parë lajmet, televizori kthehej vetë te filmi turk ku heroina qante te pusi i fshatit andej në Anadoll dhe i dashuri, një zeshkan me mustaqe sec i thoshte duke i përkëdhelur dorën!
I tmerruar, i tronditur, më erdhi kujtesa. Nga muri i Takut dëgjova të njejtën të qarë, llokoçitur në ujë pusi. Dhe një zë burri me mustaqe që bërtiste melankolik : Bujrum, siklet tersllik”!
Unë shihja po atë film që shihte Taku matanë murit.
O Takuuuuuuu – bërtita nga muri im!
Taku e kuptoi!
Po mor, ktej e tutje kshu e ka parabola e lidhme paralele o Tano. Ca tshof una edhe tina at ke me pa! Mos u mërzit o burr, se gjithë rreshti i familjeve ktej rrugës me mu osht lidh. T’gjith ata si ty një film po shofim!
Ku ka ma mir, komshillik o burr!
Sa nuk më ra të fikët! Këtej e tutje unë do të isha në vartësinë e sinjalit televiziv po se po por edhe të programit që shihte Taku. Jo vetëm unë, por e gjithë pjesa e majtë e lagjes sonë. E djathta nuk kishte ende të vume fishën në parabolë. Kishte ngel te kanoçet e kohës të diktaturës.
O Takuuuuu, si mundem o burrë të shoh çdo çast atë që sheh ti?
C’a ka me Tano, tha Taku, a nuk përdor ene una korrentin që më jep ti!!! Me kontatorin tat punoj!
C’a ke mo burrë, unë nuk e ndryshoj shpesh, ja vij i her vërdall te kto stacionet tona, politikë ka vetëm, dhe paf shkoj te turku. E di ti mo, aty e kena mendjen. Janë po turqit qafira o burr, janë emancipu, kanë për not filma me dashuni!
Dashuni e pastër, me vuajtje, jo si kto tonat, me minifunde!
O Taku, të lutem i thashë, m’a hiq parabolën mua! Dua të shoh atë që dua unë.
Aman o Tan, m’a priti Taku, t’kisha pas dit ene burr të mençëm! Ja e hoqe kabllin nga parabola jeme. Prap kujto se do shofsh at që do ti? Do shofsh prap atë që komandojn ata që komandojn televizionet o burr. Prap t’gjith njisoj! Rri o burr ktu ku je lidh me mu!
Jo Taku të lutem – u bëra serioz unë! Më çlidh të lutem.
Mir me Tan nuk ta prish – tha Taku – por nja tri a katër ditë do të durosh se duhet me hyp prapë në çati dhe unë nuk kam kohë.
Kam ra në ca pompa uji të fuqishme dhe po i shes mirë. A do të shes ene ty nji pa fitim? Apo do të marrësh ujë nga pompa ime? Për kry të robve t’a shky tubacionin nga presioni masnej!
Nga brenda derës filmi turk vazhdonte : Burri me mustaqe i thoshte gruas së bukur : Aman, qeder jazik!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: