TIRANE-Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka bërë disa ndryshime në dokumentin e procedurës së hapur të prokurimit me objekt: “Dhënia e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz (792-862 MHz)”, që synon dhënien e frekuencave për internet të shpejtë.

Dy janë ndryshimet kryesore, sipas dokumentit të publikuar së fundmi. Së pari është bërë shtyrja e afatit për dorëzimin e ofertës deri në datën 3 Dhjetor 2018 dhe ky afat ndryshuar të reflektohet në të gjithë dokumentin e tenderit publik. Afati i parë ishte data 27 shtator.

Së dyti, është ndryshuar kushti i mbulimit për operatorët ekzistuese pasi në dokumentet fillestare, nuk shprehet qartësisht se kujt i referohet detyrimi për mbulim të territorit me shërbim LTE, ndërkohë që sipërmarrësit që operojnë aktualisht në treg e kanë  mbuluar një pjesë të konsiderueshme të territorit me këtë shërbim. Konkretisht ndryshimi i shtojcës 6, “Formulari i Planit për Shtrirjen dhe Konfigurimin e Rrjetit që do Ndërtohet për Mbulimin me Shërbim”, synon të sqarojë se përmbushja e përcaktimeve të shprehura në kolonën e deklarimit për mbulimin e territorit i referohet sipërmarrësve të rinj që eventualisht parashikojnë të ofrojnë këtë shërbim, ndërkohë që operatorët ekzistues, tashmë kanë realizuar mbulimin e territorit me shërbimin LTE, thuhet në dokumentet e tenderit.

Çfarë synon tenderi 22.4 milionë euro

Të drejtat e përdorimit jepen me qëllim ndërtimin e rrjeteve tokësore të komunikimeve elektronike për të ofruar shërbime të komunikimeve elektronike, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këto frekuenca do të mundësojnë internet të shpejtë për zonat turistike, rrugët nacionale, urat, tunelet, zonat e largëta, por edhe në zonat ekzistuese ku ka shumë mbipopullim. Fillimisht do të mundësohet interneti 4G në të gjithë vendin, me perspektivë për të kaluar në 5G.

Procedura e tenderit, njofton AKEP,  zhvillohet për të dhënë 3  te drejta perdorimi (Autorizime Individuale) në brezin e frekuencave 800 MHz (790-862 MHz) dhe zhvillohet në 3 raunde, në të njëjtën ditë të hapjes së ofertave:

– Të gjithë ofertuesit mund të paraqesin ofertë për marrjen e një të drejte përdorimi në çdo raund.

– Ofertat për secilin raund do të dorëzohen nga oferuesit në datën që përcaktohet në dokumentet e tenderit.

– Ofertuesi fitues i raundit paraardhes rezervon të drejtën të tërhiqet nga hapja e ofertës për raundin pasardhës.

– Në çdo raund nuk mund të jepet më shumë se një e drejtë përdorimi (1×10 MHz i çiftuar).

Çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për të drejtë përdorimi 1 x 10 MHz i çiftuar është 7,440,000 Euro. Për tre autorizimet, shuma minimale arrin në 22.4 mln euro./Monitor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: