NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave hap procedurat për plotësimin e formularëve për kompensimin e pronave të zëna nga ndërtimet pa leje. 410 pronarët që pritet të përfitojnë nga kompensimi duhet të plotësojnë pranë AKKP-së formularin- tip dhe shtatë dokumente. Fatura financiare e kompensimit për të gjithë personat që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje arrin vlerën e 215 milionë lekëve.

DOKUMENTET
Në njoftimin zyrtar të AKKP-së mësohet se subjekti përfitues apo përfaqësuesi i tij, me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së kërkesën-tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës, të plotësuar sipas rubrikave, dëshminë e trashëgimisë për gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Ndërsa për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur). Sipas njoftimit, edhe prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Dokumente të tjera që duhet për të përfituar kompensimin: janë vërtetimi origjinal i lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopja e dokumentit të identifikimit, certifikata familjare të kërkuesit/aplikuesit dhe mandatpagesa për shumën 2.000 lekë për çdo aplikim të veçantë.

KOMPENSIMI
Sipas AKKPI-së, kompensimi kryhet sipas vendimit Nr.383, datë 19.05.2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën të ditur se ka çelur fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, emrat e të cilëve janë miratuar me VKM Nr.616, datë 07.07.2015, “Për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë që sot dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo i limituar në afat.

Me këtë rast, AKKP-ja fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilave janë miratuar me VKM Nr.616, datë 07.07.2015, “Për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të paraqiten pranë zyrave të AKKP-së për dorëzimin e kërkesës për kompensim nga fondi i ALUIZNI-t. AKKP-ja ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë: Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, çdo ditë nga e hëna në të premte, ora 09:00 – 12:00. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën 2.000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.

Sipas AKKP-së, subjektet përfituese, kërkesa e të cilave nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm. Ndërkohë që, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale do të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje. Ndërsa Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: