NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vijon punën vetëm me pagesat e pronarëve të cilëve u është zënë toka nga ndërtimet pa leje deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave. Burime zyrtare nga AKKP-ja bëjnë të ditur se procesi i kompensimit të pronave të zëna nga ndërtimet pa leje është i ndarë nga procesi i kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist. Në AKKP pranohen kërkesa për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Tarifa e regjistrimit të kërkesës është 2.000 lekë.

DOKUMENTET
Për të përfituar kompensimin për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje, pronari duhet të paraqesë në AKKP kërkesën për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale (ALUIZNI). Pronari plotëson një kërkesë për kompensimin në vlerë sipas formatit-tip, që vihet në dispozicion nga AKKP-ja. I interesuari duhet të paraqesë dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie.

Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre. Një tjetër dokument është vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar. AKKP-ja kërkon fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit, dhe mandatpagesën që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.

PAGESAT
Pas miratimit të listës së përfituesve nga Këshilli i Ministrave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përfundon procesin e shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, ligjin nr.10239, datë 25.02.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar. Në përfundim të këtij procesi, shpërndahen kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt (në total 57%) të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila bën publike të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe gjeneralitetet e subjekteve përfituese. Gjithashtu, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet të njoftojë subjektet e interesuara në lidhje me vlerat përkatëse për secilin përfitues dhe datën e kalimit të parave në llogaritë e pronarëve që kompensohen.

PROCEDURA PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT

1. AKKP-ja, në zbatim të VKM nr. 383/2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” i ndryshuar, procedon si më poshtë:
2. Njofton publikisht në media dhe/ose nëpërmjet faqes zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave, për periudhën përkatëse;
3. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 (pesë) ditë pas datës së njoftimit publik;
4. Subjekti apo përfaqësuesi me prokurë paraqet pranë AKKP-së gjithë dokumentacionin e lartpërmendur.
5. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKPsë ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës;
6. Grupi i punës, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura;
7. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës: a) nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi; b) urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen; c) njofton kërkuesin që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: