Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka komentuar në studion e News24 marrëveshjen e mbrojtjes të firmosur së fundmi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një deklaratë të përbashkët dhe jo si një marrëveshje formale.

Milo shpjegoi se kjo deklaratë është një shprehje politike e përbashkët, pa një angazhim të mëtejshëm, dhe se nuk ka nevojë të miratohet nga parlamentet përkatëse. Ai theksoi se nëse kjo deklaratë do të ketë një thellim të mëtejshëm në të ardhmen, mund të kalojë në një marrëveshje më të kompletuar.

“Ka vend për këtë duke kaluar në marrëveshje të plota, të cilat mund të përfshijnë stërvitje të përbashkëta ushtarake, shkëmbimin e teknologjive për armatimet dhe prodhimin e përbashkët të armatimeve,” tha Milo.

Ai gjithashtu komentoi situatën politike në rajon, duke theksuar se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe Bosnjës, prandaj nuk i vjen mirë kur tre vende të rajonit realizojnë një veprim të tillë. Sipas tij, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kroacisë kanë pasur historikisht probleme dhe ato shpesh nuk janë të prirura për të bashkëpunuar në interes të stabilitetit të rajonit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb