NGA OLA MITRE

TIRANE- Agjencia Kombëtare e Provimeve ka gati li cencat për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, ndërkohë që përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të saj, theksohet se tërheqja e tyre do të bëhet pranë Drejtorive Arsimore Rajonale. Bëhet fjalë për mësuesit e rinj, të cilët i janë nënshtruar dhe kanë kaluar me sukses provimin e shtetit në sezonet III dhe IV, e më konkretisht për të gjithë kandidatët që u testuan në sezonin e dhjetorit 2013 dhe të korrikut 2014.

Licencat do të tërhiqen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve nga personat e autorizuar nga DAR-et ditën e martë, datë 20.10.2015, ndërkohë që tërheqja pranë Drejtorive Arsimore do të bëhet personalisht nga kandidatët fitues. Sa u takon mësuesve të rinj, të cilët iu nënshtruan provimit të shtetit në sezonin e nëntor-dhjetorit 2014 dhe të korrikut 2015, AKPja bën me dije se licencat e tyre do të përgatiten brenda muajit tetor 2015.

UDHËZIMI
Pajisja me licencën, që fiton kandidati në përfundim të provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit përcaktohet në udhëzimin me nr. 10, datë 3.4.2015. Sipas këtij udhëzimi, licenca për mësuesit do të jepet sipas profilit përkatës dhe do të përmbajë një sërë të dhënash, si: Stemën e Republikës së Shqipërisë; emërtimin “Republika e Shqipërisë”; emërtimin “Ministria e Arsimit dhe Sportit”; emërtimin “Agjencia Kombëtare e Provimeve”; emërtimin e titullit profesional; emrin, atësinë dhe mbiemrin; datëlindjen dhe vendlindjen; bazën ligjore ku mbështetet dhënia e këtij dokumenti; të dhëna për përfundimin e studimeve të ciklit të dytë; datën e kryerjes së Provimit të Shtetit për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit; vlerësimin me notë, të marrë në përfundim të Provimit të Shtetit; nënshkrimin e Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe vulën e AKP-së; datën e lëshimit të licencës për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit dhe numrin e licencës për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit.

I njëjti udhëzim saktësonte pikërisht edhe faktin se me këtë licencë do të pajisen edhe të gjithë kandidatët e mëparshëm, fitues në Provimin e Shtetit për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, të cilët janë kandidatët fitues të sezoneve të mëparshme të provimit të shtetit në këtë profesion, që nuk janë pajisur ende me licencë, dhe konkretisht kandidatët pjesëmarrës dhe fitues në sezonet e provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit, dhjetor 2013 dhe korrik 2014.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: