GREQI

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Greqi, me pasojë vdekjen e një të riu shqiptar. Ngjarja është shënuar në bulevardin buzë detit, në zonën e Vuola-s. Mediet greke raportojnë se një kamion dhe një motor u përfshinë në aksident në kryqëzimin e rrugëve Karmanli dhe Zefyrou, duke lënë të vdekur shoferin e motorit, 27-vjeçarin shqiptar.

I riu shqiptar ishte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë në rrugën bregdetare, kur është përplasur me një kamion në komunën Varis-Voula-Vouliagmeni. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se shqiptari ishte pa mbrojtëse, çka ka bërë që përplasja të ishte fatale për të.

Nga ana tjetër, drejtuesi i kamionit, i cili ka njoftuar policinë menjëherë pas ngjarjes, thuhet se ka pësuar një gjendje shoku. Ai ka thënë se motori ishte me shpjetësi shumë të lartë, ndaj nuk ka mundur ta shmangte përplasjen me të.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe nënkryetari i bashkisë Baris-Voula-Vouliagmeni, Vasilis Papamichael, i cili ka deklaruar për “protothema.gr” se nga informacionet e policisë, rezulton që shkak i aksidentit është bërë mosrespektimi i semaforit.

“Informacioni që kam nga policia është se kamerat kanë regjistruar incidentin dhe duket se shoferi ka shkelur semaforin, pasi ka ecur kur ai ishte i kuq. Fatkeqësisht i riu nuk mbante një mbrojtëse. Nga informacionet që kam, vdekja ishte e menjëhershme. Furgoni në atë kohë po merrte ngarkesa dhe shoferi është i shokuar nga ky incident”, është shprehur zyrtari grek.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb