PESHKOPI- Humbin jetën dy persona në një galeri të braktisur në Peshkopi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Selishtës mesditën e kësaj të diele, dhe viktimat janë identifikuar si Miftar Losha, 54 vjeç, teknik dhe Albert Losha, 35 vjeç, kushërinj mes tyre. Dy personat e mësipërm mësohet se kishin hyrë në minierë fshehurazi, për të nxjerrë krom në zezë dhe për të siguruar pak të ardhura për familjet e tyre.

Sipas banorëve, dy burrat janë zënë nga një masiv shkëmbor ndërsa nxirrnin krom në galerinë e hapur në sipërfaqe dhe me një thellësi prej 100 metrash. Kanë qenë banorët ata që i kanë pikasur të parët duke njoftuar dhe policinë.

Një prej viktimave, Albert Losha, mbeti i bllokuar në galeri, për disa orë.  Vetëm me ndërhyrjen e policisë dhe banorëve të Selishtës, u bë e mundur nxjerrja e tij. Dy të plagosurit u nisën me helikopter drejt Qendrës Spitalore të Traumës në kryeqytet, por nuk mundën tu mbijetojnë plagëve të marra duke humbur jetën rrugës për në spital.

Burime për News24 bëjnë më dije se firma që kishte licencën për këtë galeri, nuk ushtronte aktivitetin prej kohësh. Ndërkohë, që ishte raportuar për veprimtari ilegale në  këtë galeri. Ndërkohë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nisur në terren një grup punë për të verifikuar rrethanat e kësaj ngjarje. Reparti i inspektim Shpëtimit të Minierave, pritet të japë detaje rreth asaj që ka ndodhur.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: