TIRANE – Një 29-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa gazetari Çim Peka dhe një tjetër person janë plagosur mbrëmjen e sotme në Tiranë, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në zonën e Mulletit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Për pasojë ka humbur jetën 29-vjeçarja Fleura Kola, vajza e ish-ambasadorit tonë në Romë, Llesh Kola, ndërsa janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve, gazetari Çim Peka dhe shtetasi Emiljano Pelushi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjetet e përfshira në aksident janë një “Benz” me targë AA 099 GB që drejtohej nga Peka dhe një “Audi” me targë AA 566 HP, e drejtuar nga Pelushi.

Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, gazetari Çim Peka ka pësuar disa shembje në trup dhe një dëmtim të lehtë në qafë.

Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Në vendin ku ndodhi aksidenti është parë edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa.

FLEURA KOLA, VAJZA E ISH-AMBASADORIT TONE NE ROMEfleura kola(ne foto Fleura Kola)

Vajza që ka humbur jetën në aksidentin ku u përfshi edhe gazetari Çim Peka është Fleura Kola, 29 vjeçe, vajza e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Llesh Kola. Nga të dhënat e siguruara në profilin e saj në “Facebook” rezulton se Fleura Kola ka lindur më 1 qershor 1985. Ajo ka dhënë kontributin e saj në strukturat e Partisë Demokratike, ku ka qenë aktive në disa fushata dhe aktivitete të kësaj force politike.
“Jam veriore, jam katolike, nuk jam hajdute, nuk jam kriminele, nuk dëmtoj natyrën, e paguaj energjinë elektrike, nuk kam bërë kurrë burg! JAM SHQIPTARE dhe jam e zhgënjyer për ideologjinë që synojnë të përhapin disa individë, të cilët supozohet që duhet t’i marrim shembull për dije e mirësi, siç ishte deri dje Maks Velo. STOP përhapjes së këtyre ideve destabilizuese për këtë vend! Rruga për në Europë kalon nëpërmjet bashkëjetesës, ndërmjet popujve dhe feve! Mendoja për këtë bashkëjetesë ishim lider ne Ballkan, mesa duket jo, mesa duket kemi gënjyer botën dhe Europën. C’të mirë mund të sjellin këto shkrime para vizitës së Papës, i cili vjen pikërisht për të na falenderuar se jemi shembull i kësaj bashkëjetesë në Ballkanin e turbulluar”, -shkruan Fleura në një nga statuset e saj në “Facebook”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: