Aksident tragjik me 30 viktima në Kenia. Autobusi me pasagjerë bie nga ura e përfundon në lumë
Një aksident i rëndë me të paktën 30 viktima ka ndodhur në Kenia, ku një autobus ka rënë nga ura dhe është fundosur në lumë.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur përgjatë autostradës që lidh Meru-në me Nairobi-n dhe sipas njoftimit të policisë shkak i aksidentit “duhet të jetë një dekfet në frena sepse autobusi ishte me shpejtësi të madhe kur ndodhi aksidenti”.

Zyrtari i lartë i policisë Rono Bunei, ka bërë me dije se numri i viktimave këtë mëngjes arriti në 30 nga 24 që ishte gjatë natës, ndërsa pasagjerët e tjerë janë shtruar në spital si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra.
Ky është një ndër aksidentet më tragjikë të ndodhur kohët e fundit, jo vetëm në Kenia, por në të gjithë rajonin e Afrikës Lindore, ku përpos rrugëve të ngushta shkak për aksidente bëhet edhe shpejtësia e lartë, me të cilën drejtohen mjetet.

Në fillim të muajit korrik, të paktën 20 pasagjerë u vranë në një aksident përgjatë autostradës që të çon nga Nairobi drejt qytetit bregdetar të Mombasa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: