GJIROKASTER-Dy makina janë përplasur ditën e sotme në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, ku për pasojë kanë humbur jetën 3 persona, mes tyre 2 fëmijë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Mashkullorë.

Sipas informacioneve zyrtare nga policia lokale bëhet me dije se aksidenti ka rezultuar fatal për Albana Hasanin, punonjëse policie, D.D., vajzën e saj 9 muajshe si dhe L.L., nga Kosova 1 vjeç e gjysmë, ndërsa 8 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mësohet se një prej fëmijëve kishte ngelur i bllokuar në automjet. Po sipas këtyre burimeve, në aksident u përfshinë një furgon me targa AA 760 LI qe drejtohej nga shtetasi H.D. me një mjet tip “Nissan” me targa zvicerane ZH 750960 qe drejtohej nga shtetasi I.D.

Pohohet se punonjësja e policisë udhëtonte në furgonin me targa shqiptare, aty ku u humbi jetën edhe fëmija. Ndërsa e mitura 1 vjeç e gjysmë u gjet në automjetin me targa zvicerane. Ndërkohë, punonjësit e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Sakaq, personat e plagosur si fillim morën mjekimin pranë Spitalit të Gjirokastrës dhe më pas tre prej tyre u nisën me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar ndërsa 5 të tjerë po transportohen me ambulance. Ndërkaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e identitetit dhe rrethanave të aksidentit. Sipas informacioneve që përcjellin familjarët e viktimës, efektivja e policisë në Tiranë, mësohet se po kthehej nga pushimet në Sarandë, ndërsa ky rezultoi të ishte udhëtimi i saj i tmerrit së bashku me vogëlushen e saj. Ndërsa në automjetin me targa zvicerane udhëtonte çifti i bashkëshortëve me fëmijën e tyre 1 vjeç e gjysmë, i cili humbi jetën.

MJEKËT E SPITALIT TË TRAUMËS: 2 FËMIJË DHE NJË BURRË NË GJENDJE KOME
Tre persona, të cilët janë transportuar me urgjencë me helikopter drejt kryeqytetit dhe që ndodhen aktualisht në reaminacionin e Spitalit të Traumës ndodhen në gjendje kome. Këtë fakt e bënë publik vetë bluzat e bardha. Sipas drejtorit të ‘Traumës’ Ë Bushi dhe mjekut, gjendja e tre të plagosurve paraqitet kritike për jetën pasi janë intubuar dhe kanë marrë fraktura.

“Tre vetë kanë ardhur në gjendje të rëndë. Dy janë fëmijë një i moshën 4-5 vjeç, një tjetër është 10 vjeç. Janë të intubuar, në gjendje kome. Një burrë i paidentifikuar është paraqitur në gjendje të rëndë.”, tha Gjovalin Bushi për gazetarët. Nga ana tjetër mjeku i ‘Traumës’ pohoi se një prej fëmijëve ka marrë goditje të mëdha në kokë. “Në gjendje të rëndë është një prej fëmijëve, pasi është goditur në kokë. Madje edhe burri, rreth 37-vjeç paraqitet rëndë.”, pohoi mjeku. “Rrugës janë edhe 5 të aksidentuar (aktualisht ne Fier), dhe janë me fraktura.”, tha Bushi.


IDENTIFIKOHEN DY FËMIJËT E MBETUR VIKTIMA
Identifikohen dy fëmijët që humbën jetën në aksidentin tragjik sot në Gjirokastër. Bëhet fjalë për vajzën 9-muajshe të oficeres, me iniciale D.D, si dhe një tjetër 1 vjeç e gjysmë nga Kosova.

2 TË PLAGOSUR MBËRRIJNË NË SPITALIN USHTARAK
Dy nga shtatë të plagosurit kanë mbërritur në Sptialin e Traumës, ndërsa pritet të marrim mjekimin e nevojshëm më të specializuar, pasi janë në gjendje kritike për jetën. Një helikopter i ka marrë ata nga spitali i Gjirokastrës, ndërsa pritet që të mbërrijnë edhe 5 të plagosurit e tjerë.

NJOFTIMI I POLICISE
Njoftohemi se në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë , në “Mashkullorë” janë përplasur dy automjete, një furgon me targa AA 760 LI me një mjet tip “Nissan” me targa ZH 750960.

Për pasojë kanë humbur jetën 3 persona. Shtetasia A.H dhe një fëmijë i cili kanë ndërruar jetë në spital, të dy këta shtetas ndodheshin në furgon, ndërsa fëmija tjetër që ka humbur jetën ndodhej në mjetin tip Nissan.

Në Spitalin rajonal janë transportuar dhe 7 të plagosur të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: