Nëntë jetë më pak të humbura gjatë periudhës janar-22 shkurt 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aksidentet rrugore ditët e fundit, nisur nga dinamika se si kanë ndodhur janë kthyer në temë diskutimi dhe shqetësimi, jo vetëm për Policinë Rrugore por për të gjithë.

Po kush është fajtori? Policia, drejtuesi i mjetit, këmbësori apo infrastruktura?
Po t’i referohemi statistikave të Policisë, njoftimeve për shtyp, rezulton se gjatë periudhës janar – 22 shkurt 2018, kanë ndodhur 234 aksidente me 25 jetë të humbura, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku kanë ndodhur 212 aksidente me 34 jetë të humbura, rezulton se janë 9 jetë të humbura me pak, pavarësisht numrit më të lartë të aksidenteve.

Policia Rrugore ka përdorur gjithë logjistikën që ka në dispozicion për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që abuzojnë me shpejtësinë, me pijen alkoolike në drejtimin e mjetit, në garat e shpejtësisë, në mosvendosjen e rripit të sigurimit, shkeljen e semaforit, parakalimet e gabuara etj.
Për të gjitha këto shkelje gjatë kësaj periudhe (janar-shkurt 2018) janë vendosur në total 12 943 masa administrative. Janë arrestuar 169 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe 105 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 2976 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, 224 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Janë ndëshkuar me masë administrative 3654 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 8413 për shpejtësi e parakalim të gabuar, 211 për shkelje semafori, 274 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe 1298 për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

Po a janë të mjaftueshme këto masa?
Absolutisht që jo. Po t’i referohemi komunikatave të Policisë Rrugore, apo rasteve të publikuara nëpërmjet faqes zyrtare të Policisë, vërejmë se Policia Rrugore ka konstatuar me shqetësim të madh mosrespektimin e rregullave të qarkullimit qoftë nga drejtuesit e mjeteve qoftë dhe nga këmbësorët.

Drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi të frikshme qoftë në autostradë me mbi 260 km/orë, qoftë në qendrat e banuara me mbi 125 km/orë. Këmbësorë që kalojnë nga një krah në tjetrin pa respektuar vijat e bardha, apo në autostradë pa përdorur mbikalimet, çka ka sjellë që 90% e aksidenteve në Tiranë të shkaktohen nga këmbësorët.

Pa folur pastaj për mungesën e sinjalistikës rrugore, e cila është një problem akoma më i madh, apo ndriçimi i rrugëve që pothuaj nuk funksionon fare, si dhe gjendja e rrugëve që është problem akoma më shqetësues.

Por po të vazhdojmë të analizojmë shkaqet e aksidenteve, sipas ekspertëve ka një sërë faktorësh dhe aktorësh që janë përgjegjës e që duhet të reflektojnë, që nga edukata rrugore që duhet të merret në shkolla, që nga kurset për t’u pajisur me leje drejtimi, kultura qytetare, e deri tek polici rrugor që është pika fundore për të parandaluar një aksident rrugor.

Humbja e katër jetëve nga një familje, është një apel i fortë për të reflektuar të gjithë bashkë, e për të mbështetur punën e Policisë Rrugore, që edhe kur bën punë të mira përsëri gjejmë pretekste për ta kritikuar dhe jo për ta inkurajuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb