Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura brenda pak orësh në rrugët e Shqipërisë. Në Korçë shtetasi Dervish Çollaku është përplasur nga një automjet pranë fshatit Pirg, në aksin rrugor Korçë-Pogradec. Ai ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën teksa po transportohej në spital.

Pak orë më vonë në një tjetër aksident janë përplasur dy këmbësorë të tjerë, babë e bijë. Ngjarja është regjistruar në autostradën Tiranë-Durrës. Mësohet se e plagosur ka mbetur shtetasja Besime Çela, 42 vjeçe dhe babai i saj Hashim Çela. Gruaja i është nënshtruar një operacioni dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Policia ka nisur ndërkaq hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Nga Kavaja një tjetër person i aksidentuar ka mbërritur i vdekur në spital në Tiranë. Sajmir Arapi, 51 vjeç ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën rrugës për në spital, duke e çuar kështu në 2 numrin e të viktimave nga aksidentet në një ditë në vend.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb