Në 7 muajt e parë të vitit 2018 në Shqipëri janë aksidentuar 1276 persona nga të cilët kanë humbur jetën 116 persona. Vetëm javën e kaluar rrugët e Shqipërisë u përgjakën duke lënë pas 7 viktima. Po kush është shkaku që lë pas këto balance lufte?

Amarildo Çalamani, 21-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik me 2 viktima në Arapaj të Roskovecit ishte një drejtues mjeti problematik. Në vetëm 7 muaj ai kishte marrë 10 masa administrative dhe i ishte hequr patenta për shkeljen e tejkalimit të shpejtësisë. Megjithatë këto masa nuk e penguan atë të bëhet shkaktari i humbjes së dy jetëve.

Amarildo Çalamani është ndëshkuar më herët për parakalime të gabuara, drejtim mjeti duke përdorur celularin, shpejtësi tej normave të lejuara si dhe të përdorimit të një mjeti të pakolauduar.

Amarildo Çalamanit por edhe drejtuesve të tjerë që kryejnë shkelje të rrezikshme në rrugë, Kodi rrugor me sa duket iu u dëmton vetëm xhepat duke i detyruar të paguajnë gjoba, por nuk i largon dhe as i përmirëson në drejtimin e mjetit. Sistemi i patentave me pikë i nisur që në 2015 funksionon por nuk jep impaktin që duhet, sepse patentave nuk iu zbriten pikë për çdo lloj shkelje. Pikët hiqen vetëm për shkeljen e 18 neneve nga kodi rrugor, si p.sh. në rastet kur nuk i bindesh policit rrugor, kur drejton mjetin nën efektin e alkoolit apo tejkalon shpejtësinë etj.

Asnjë pikë nuk hiqet nga patenta nëse parakalon gabim, nëse flet në telefon gjatë drejtimit të mjetit, nëse kalon mbi shinat e trenit, nëse nuk respekton semaforin dhe policin rrugor, nëse parakalon pa kujdes një autobus të ndaluar në stacion, shkelje që jo në pak raste kanë shkaktuar viktima.
Me gjithë shkeljet e njëpasnjëshme, patentës së 21-vjeçarit që të dielën aksidentoi 3 persona, 2 prej të cilëve me vdekje, i ishin zbritur vetëm 3 pikë nga 20 që ka ajo.

Mungesa e ndëshkueshmërisë për drejtues të papërgjegjshëm të cilët kthehen në rrezik serioz në rrugë bën që numri i viktimave të aksidenteve të jetë gjithmonë në rritje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb