Nga: Spartak Koka
Në analizën vjetore të Policisë së Tiranës, një aktivitet i rëndësishëm për të kuptuar performancën e shërbimit të uniformave blu në shërbim të qytetarëve për më shumë rend dhe siguri, u kalua tangent dhe pa ndonjë vëmendje të madhe shtimi kritik i aksidenteve rrugore me vdekje dhe me të plagosur rëndë.

Policia deklaroi 16 viktima më shumë se viti 2015, ose e thënë ndryshe, një rritje prej 40 përqind e aksidenteve rrugore me vdekje në kryeqytet. E të mendosh se policia kishte vendosur prioritet uljen e aksidenteve me 15 përqind!!!!!!

Një situatë e cila duhet të alarmojë të gjithë ata qytetarë të përgjegjshëm që duan të jetojnë në këtë qytet, të gjithë ata intelektualë dhe specialistë të fushës, që mund të kontribuojnë për të ndryshuar këtë situatë.

Drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi se 58 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore vetëm në Tiranë përgjatë vitit 2016, kundrejt 42 personave në vitin 2015. Kjo është një shifër që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Që prej vitit 2009, kur u shënuan 76 viktima nga aksidentet në Tiranë, kjo e vitit 2016 është më e larta e 7 viteve të fundit. (2010 – 50 viktima, 2011 – 51 viktima, 2012- 51 viktima, 2013 – 45 viktima, 2014 – 41 viktima).

Në një studim të paraqitur nga Banka Botërore jepen shifra të larta për koston që ka një aksident në vendin tonë. Një aksident me pasojë vdekjen kap shifrën e 195 mijë eurove, kundrejt 75 mijë eurove që vlerësohet një plagosje me pasoja të rënda. Sipas përllogaritjeve rezulton se, rreth 21 milion euro është kostoja e aksidenteve rrugore me vdekje dhe të plagosur rëndë në Tiranë për vitin 2016 ( 11.3 million për aksidentet me vdekje, 9.6 milion për aksidentet me të plagosur rëndë). Pra përtej kostos njerëzore ka dhe kosto financiare.

Janari i këtij viti ka nisur sërish me numër të lartë aksidentesh me vdekje. Viktima më e fundit është Xhulia, 3 -vjeçarja nga Iba, në Tiranë, e cila anës rrugës teksa mbahej në krah nga e ëma është përplasur nga një 25 – vjeçar, i cili gjithë kohës postonte në rrjetet sociale video, ku tregonte se si në të njëjtin segment rrugor drejtonte mjetin me shpejtësi mbi 220km/h. Ky person i rrezikshëm, me shpejtësinë dhe videot që postonte ishte kronika e një ngjarje të paralajmëruar, të cilën askush nga Policia Rrugore apo e Rendit nuk u përpoq ta parandalonte.

Me këtë ritëm të frikshëm, prej 40 përqind të shtimit të aksidenteve rrugore, 2017 mund të mbyllet me mbi 80 persona të vdekur. Larg o Zot! 80 njerëz ku nuk mund të përjashtohem as unë, as ti që po lexon këtë shkrim.

Rritjen e aksidenteve me vdekje nuk arriti ta ndalonte as flota elektrike e makinave të reja të Policisë Rrugore, as fushatat ndërgjegjësuese, as videot sensibilizuese të policisë, as ndryshimet e shpeshta në drejtim të Komisariatit Rrugor, pasi faktorët janë kompleksë dhe ka nevojë për një analizë të thellë.

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në një sjellje me dy standarde, fajësonte për rritjen e aksidenteve rrugore vetëm qytetarët, ndërsa në analizën e vitit 2015, në uljen e numrit të aksidenteve vlerësonte forcën goditëse të policisë, për shkak të vëmendjes që i ishte dhënë sigurisë rrugore.

Pra vihet re qartë tendenca për të ikur nga përgjegjësia dhe për t’ia faturuar vetëm qytetarëve.

Rolin e rëndësishëm të Policisë Rrugore në uljen e aksidenteve rrugore e kishte vënë në dukje dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri më datën 4 Janar 2014, kur u shpreh se: “..megjithatë ne kemi bërë maksimumin për të ulur në mënyrë drastike numrin e aksidenteve rrugore me pasoja fatale dhe numrin e aksidenteve rrugore në tërësi dhe shifrat flasin vetë. Mund t’ju them që 38 përqind më pak e aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen, do të thotë jetë njerëzish të shpëtuara. Dhe ky është efekti parandalues i punës së Policisë së Shtetit dhe veçanërisht i Policisë Rrugore. Masat administrative për ne janë një instrument edukues ndaj qytetarëve që refuzojnë të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.”

Policia në këtë sektor ka si detyrë dhe mision kontrollin e zbatueshmërisë së Kapitullit 5 të Kodit Rrugor për normat e sjelljes së përdoruesve të rrugës dhe në rast shkeljesh, të ndëshkojë me masë administrative, me gjobë, me pezullim të lejes së drejtimit, apo arrestim në rast të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

Por të dhënat statistikore, përtej përgjegjësive të qytetarëve, nxjerrin në pah se policia ka dështuar të përmbushë misionin dhe të garantojë siguri për jetën e qytetarëve në rrugë. E thënë ndryshe me fjalët e Ministrit të Brendshëm, Policia Rrugore ka dështuar për vitin 2016 të përdorë masat administrative si instrument edukues për të parandaluar aksidentet fatale.
16357796_10154969786347760_1086944568_o
Specialistë të Policisë Rrugore apo ekspertë të fushës shprehen se, sipas tyre, janë një kompleksitet faktorësh që kanë sjellë këtë dështim, që para së gjithash lidhen me punën e policisë dhe më pas për të vijuar më tej, me mungesën e bashkëpunimit me institucionet e tjera ligjzbatuese, siç është Bashkia e Tiranës si ent pronar i rrugës, apo Prokuroria, për rritjen e nivelit të masës së ndëshkueshmërisë brenda maksimumit të parashikimit penal, për veprën e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur dhe pa patentë, apo dhe gjetjen e alternativave të reja për fushata ndërgjegjësuese ndaj qytetarëve, që të kenë ndikim dhe mos të bëhen për sy e faqe.

Gjithashtu, konstatohen disa probleme të tjera po kaq të rëndësishme që lidhen me: Rënien e forcës goditëse parandaluese në rezultate, që janë 200 përqind më pak, e cila reflektohet në rritje të aksidenteve (nga 24 mijë gjoba mujore, sot niveli ka arritur në 11 mijë gjoba). Lëvizjet e shpeshta të policëve të nivelit bazë kanë shkaktuar pasiguri tek ata për vendin e punës. Mungesa kapacitetit menaxherial dhe drejtues për arritjen e objektivave për minimizimin e aksidenteve.

Ndërkohë, 13 pikëpyetje që kanë lidhje të drejtpërdrejta me aksidentet rrugore, ende nuk kanë marrë përgjigje!

Çfarë përfaqësojnë sot drejtuesit aktualë të Policisë Rrugore? Sa dhe pse janë bërë lëvizjet kaq të shpeshta të Policisë Rrugore? Çfarë bëhet me arsimimin e atyre që dalin rishtaz nga Akademia dhe i bashkohen Policisë Rrugore (duhet vënë në dukje se angazhimi në Policinë Rrugore kërkon njohuri të posaçme dhe një trajnim më specifik të efektivëve)? Çfarë rentabiliteti ka sot një polic rrugor në Tiranë? Cili është standardi që duhet të ketë sot një strukturë e Policisë Rrugore? Cili është niveli dhe standardi i Policisë Rrugore? Çfarë konsiderohet nga Policia e Tiranës sot “nivel i pranueshëm i sigurisë rrugore”? Çfarë kriteresh janë vendosur në përshkrimet e punës të Policisë Rrugore për çdo funksion policor dhe sa zbatohen ato në emërime, a përbën kjo shpërdorim detyre? A duhet vazhduar më me këtë mënyrë organizimi? Sa zbatohen rekomandimet e misioneve asistuese të policive homologe PAMECA dhe ICITAP? Pse duhet të qëndrojnë policët në semafor kur nuk ka trafik? Sa efiçente është salla e komandimit, po kur në kamerat konstatohen shkelje si bashkërendohen veprimet? Po me përmirësimin e Kodit Rrugor çfarë po bëhet dhe përse nuk ka veprime të shpejta dhe konkrete në këtë fushë? Përse ka patur tolerim ndaj paligjshmërisë, ndaj të paprekshmëve, të cilët sfidojnë ligjin qoftë me para, qoftë me taraf, apo me çdolloj imuniteti të paparashikuar nga ligji?

Aktualisht mungon gjithashtu një studim, i cili të marrë në konsideratë rrjetin kilometrik të kryeqytetit, sasinë e numrit të mjeteve të regjistruara në qytet dhe fluksin e specifikuar ditor që vjen nga rrethet, në mënyrë që të arrihet të vendoset një raport i drejtë midis numrit të punonjësve të policisë për banorë, apo për mjet.

Mos hartimi i planeve të masave për të eleminuar rrezikun për aksidentet në akset rrugore të evidentuara si njolla të zeza (hot spot).

Por vendet perëndimore ofrojnë modele të mira për rolin e policisë në minimizimin dhe parandalimin e aksidenteve me vdekje!

Zgjidhja më e mirë, sipas modelit amerikan me ndikim afatgjatë do ishte mbledhja së bashku e disa elementeve komplekse, zhvillimi në lidhje me përdorimin më të mirë të burimeve të policisë për parandalimin e aksidenteve rrugore. Ku së pari të diskutohen metodat e praktikës më të mirë të organizimit menaxherial. Së dyti, të shqyrtohen masat në të cilat janë përdorur këto parime në një sistem të planifikuar të organizimit të policisë së trafikut rrugor dhe nëse është paraqitur një rishikim i rezultateve të reduktimit të aksidenteve nga qasja. Së treti, rezultatet e qasjes dhe të programeve të tjera të përforcimit të përfshijnë miksime të ndryshme të menaxhimit dhe teknologjisë, të krahasuara nga një pikëpamje e standardizuar.

Pas një analize të detajuar të ndërtohet një strategji me efekte ndërhyrëse që të sigurohet jeta e qytetarëve në kryeqytet përsa i përket aksidenteve rrugore, forcim të normave që ndalojnë shkeljen e Kodit Rrugor.

Policia e Tiranës prioritare për vitin 2017 ka deklaruar eleminimin e çdo shfaqje korruptive nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe ndëshkimi i çdo drejtuesi mjeti që i ofron para policit. Por korrupsionin e drejtuesve të policëve, që ndikon drejtpërdrejtë në uljen e performancës së trupës së policisë dhe shtimin e aksidenteve, hartuesit e prioriteteve duket se e kanë harruar.

Shënim: Ky shkrim nuk synon të linçojë fajtorët që me veprime dhe mosveprime sollën rritjen e aksidenteve, por të sensibilizojë aktorët dhe faktorët që kanë rol vendimarrës që të reagojnë dhe të marrin masa për sigurinë rrugore të qytetit tonë të përbashkët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: