Duke iu referuar aksidenteve rrugore, marrë shkas dhe te aksidenti me pasojë shuarjen e një familje prej 4 anëtarësh në aksin Vlorë-Fier, kryeministri Edi Rama, bëri apel për kujdes.

Ai tha se nuk është e gjitha përgjegjësi e Policisë së Shtetit, pasi aksidentet janë përgjegjësi individuale.

Rama gjithashtu, tregoi se nuk ka sistem tjetër përveç gjyqësorit që të merret me problematika të kësaj natyre. Sipas tij, gjykatat në vend kanë deformuar
punën e tyre dhe shtoi se nuk mund të priten ‘mrekulli’ nga Reforma në Drejtësi në një kohë të shkurtër.

“E vetmja gjë që kërkoj me shumë përulësisht, fjalët e mia të mos i deformoni. Ato që them mos i deformoni, sepse është bërë e vështirë për të përcjellë mesazhe te njerëzit, nëse nuk janë prezent dhe mesazhet i marrin nga ndërmjetësimi juaj. Thashë nuk jam i shqetësuar në raport me tërësinë. Natyrisht nuk mund të kem një imagjinatë kaq të fortë të barazoj COVID-in dhe ngjarjen. Unë nuk thashë që ngjarjet në fjalë më lenë indiferent. Nuk e kuptoj si të përmbysen fjalët, në kohë reale. Të paktën këto që them mos mi shtrembëroni. Ju keni të drejtë t’i interpretoni. Tjetra është që nuk e harroj dot, që para disa vitesh ka pasur më shumë vrasje se sa ditët në vit. Nga ana tjetër, numri i aksidenteve ka qenë dyfish, këtë se harroj dot.

A është numri aksidenteve sot, i ulët, jo nuk është, por në rrugë janë qindra mijëra individë të cilët kanë detyrën e vet karshi ligjit, familjes, sepse në rrugë mund të vrasësh dhe mund të vritesh. Mund të lësh fëmijët jetimë, ose prindërit pa fëmijë. Jam i shqetësuar në mënyrën se si ne mund të përmirësojmë punën tonë. Ngjarje që janë kulminante nga pikëpamja e numrit të viktimave të kthehen në arsye, për ta parë Shqipërinë si një vend, ku turistët duhet të kthehen, prej frikës, është e tepërt. Nuk ndihmon në adresimin e problemit real. Shikoni në sa raste Policia e Shtetit ka çuar para gjykatës shkelës të ligjit, edhe për shpejtësi. Nuk ka një sistem tjetër.

Ne s’po rrimë duarkryq, po bëhet pastrimi i gjykatave, por kjo kërkon kohë. Të gjithë do të donim të gjenim sistemin në drejtësi Francë dhe Gjermani. Për ato sisteme është punuar me qindra vite. Tani do thoni ju që koha është e gjatë, që kur ka filluar Reforma në Drejtësi dhe Vetingu.

Në jetën e një njeriu 5 vite janë shumë, në shtetformimin e një shteti 5 vite janë 5 minuta. Sot Serbia dhe Mali i Zi, që janë të avancuar në procesin e negociatave, kanë detyra të lidhura me Reformën në Drejtësi që ne e kemi kryer. Shpejtësia ka qenë maksimale. Rezultatet kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: