Shqipëria rezulton ndër vendet me rrezikshmëri të lartë përsa i përket viktimave të shkatuara nga aksidentet rrugore. Sipas të dhënave të INSTAT Shqipëria renditet ndër vendet me numër të lartë të vdekjeve nga aksidentet në rrugë në raport me popullsinë.

Në raportin e publikuar për vitin 2017, nga aksidentet ka patur 78 viktima për 1 milionë banorë, nga 50 që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas Eurostat. Kjo është një ndër shifrat më të larta të regjistruara në Europë. Përgjatë 2017-ës janë regjistruar 222 aksidente rrugore në Shqipëri, 173 prej tyre janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit.

Në raport vihet re se vendet e rajonit kryesojnë renditjen për numrin më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet në rrugë, ku në vend të parë renditet Bosnje Hercegovina, me 157 vdekje për 1 milionë banorë. Pasuar nga Mali i Zi, në vendin e dytë me 107 vdekje. Ndërsa ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore, e ka Rumania dhe Bullgaria me përkatësisht 99 vdekje për 1 milionë banorë.

Në të gjithë Bashkimin Europian gjatë vitit 2017 u regjistruan rreth 25 mijë aksidente, mesatarisht 50 aksidente me pasojë vdekjen për 1 milionë banorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb