Të paktën tri aksidente të rënda me pasojë vdekjen kanë tronditur opinion publik në Shqipëri. “BalkanWeb” rikujton sot këto ngjarje që u përjetuan me dhimbje jo vetëm nga familjet e VIP-ave shqiptarë ku ndodhën tragjeditë.
KEJDI HALILI
Ndarja nga jeta e Ergi Dinit dhe Kejdi Halilit, si pasojë e një aksidenti tragjik me motor, bëri bujë në Shqipëri jo vetëm për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja e rëndë por edhe për shkak se dy të rinjtë nuk ishin të panjohur për publikun. 22-vjeçari Ergi Dini ishte një nga këngëtarët më premtues në vend ndërsa miku i tij, 21-vjeçari Kejdi Halili ishte bërë personazh për faktin se ishte djali i vetëm i gazetares së njohur, Erenestina Halili, e cila hapur e kishte shprehur dobësinë për të. Raportin e ngushtë me të birin, Erenestina e ka treguar edhe në media ku e konsideronte Kejdin si fëmijën më të mirë në botë.
Erenestina
Në një intervistë për “Psikologji” Erenestina Halili ka folur për marrëdhënien me të birin, në atë kohë 15-vjeçar, fazën e adoleshencës së tij dhe si i qëndronte afër për të tejkaluar këtë fazë të “dritës së syrit”, siç edhe e quante. Për këtë arsye dhe ndarja e tij e parakohëshme nga jeta shkaktoi një tronditje të madhe në opinionin publik.
zhiti

ATJON ZHITI
Një tjetër aksident i rëndë me pasojë vdekje shkaktoi një tronditje të madhe në opinion dy vite më parë. Në 2014-ën, 19-vjeçari Atjon Zhiti, djali i vetëm i poetit të njohur dhe ish-ministrit, Visar Zhiti humbi jetën në një aksident tragjik në Tiranë pak ditë pasi ai ishte kthyer nga Milano e Italisë.
Djaloshi 19­-vjeçar ishte student në degën e Filozofisë që prej vitit 2013 në universitetin “Sacro Cuore” në Milano. Ai ishte djali i vetëm i Visar Zhitit, një ndër shkrimtarët e njohur që u persekutua
dhe u burgos nga diktatura komuniste. Atjon Ziti sapo ishte kthyer nga Italia për pushimet e fundvitit dhe pasi kishte kaluar të premten në një ditëlindje, të shtunën në mëngjes me një shokun e tij, po lëviznin me një motor, kur tragjikisht u përfshinë në aksident pranë QTU në kilometrin e shtatë të rrugës Tiranë­Durrës. Atjon Zhiti nuk kishte vënë skafandër në kokë dhe për pasojë mori dëmtime të rënda, të cilat i morën jetën. Kjo tragjedi u përjetua nga i gjithë opinioni që iu gjet në krah me solidarizim dhimbjes që përjetoi familja Zhiti.
moisiu-admiri
ADMIR MOISIU
Në vitin 2004, ndodhi një tjetër aksident i rëndë në Tepelenë me pasojë ndarjen nga jeta të Admir Moisiut, djalit të vetëm të Presidentit të aso kohe, Alfred Moisiu. Trupi i 32-vjeçarit, u gjet nga polumbarët në vendin e quajtur “Shkëmbi i korbave”, rreth 300 metra poshtë vendit të aksidentit, në krahun tjetër të lumit Drino. Automjeti me tre persona që udhëtonin në të, doli nga rruga nacionale duke rënë në ujrat e lumit Drino nga një lartësi prej rreth 60 metra. Si pasojë humbën jetën dy persona, njëri prej të cilëve Admir Moisiu, djali i Presidentit të Republikës, me detyrë drejtor i Kontrollit Financiar në Prokurorinë e Përgjithshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb