Siguria rrugore vijon të mbetet kryefjalë për shumë vende përfshirë Shqipërinë, e cila regjistron një numër aksidentesh mbi mesataren europiane. Vetëm në janar sipas të dhënave zyrtare numërohen 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në Janar 2017, duke u rritur me 12,6 %. Po kështu numri i të lënduarve është 175 persona, nga 158 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 10,8 %. E në gjithë këtë problematikë synimi për të ulur numrin e aksidenteve duket se mbetet larg për aq kohë sa nuk hetohet shkaku.

Një seri takimesh të koorodinuara nga Komisioni Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara me vendet anëtare të saj ku përfshihet dhe Shqipëria kanë vënë theksin tek mungesa e studimeve të thelluara.

Për Shqipërinë vlerësohet se mbajtja e bazës së të dhënave është bazike me mungesa të theksuara dhe se nuk ka studime të thelluara që do të çonin më pas në marrjen e masave për problemet reale.

Nevoja për studime të thelluara
Në rekomandimet e bëra për sistemin e bazës së të dhënave, UNECE nënvizon se informacioni duhet të plotësohet me variabla shtesë. Sot mungojnë të dhënat për alkoolin në 17 për qind të rasteve, mungon përdorimi ose jo i rripit në 46 për qind të rasteve, mungojnë defektet në automjete në 85 për qind të rasteve si dhe nuk ka një klasifikim të saktë për zonat urbane dhe rurale.

“Ka nevojë për një platformë për të monitoruar nivelin e zbatimit të ligjit për përdoruesit e rrezikshëm të rrugës me sjellje të tilla si drejtim i mjetit me shpejtësi të lartë, drejtues që nuk përdorin rripin e sigurimit si dhe mbikëqyrja dhe zbatimi i ligjit për ata që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit. Të gjitha këto janë faktorë që ndikojnë në uljen e riskut nga aksidentet. Policia Rrugore duhet të zhvillojë anketa që tregojnë nivelin e zbatimit të sjelljes së drejtuesve.

Ka mungesë të studimeve të thelluara nga Policia Rrugore në Shqipëri. Synimi i tyre është gjetja e zinxhirit të eventeve që çojnë në aksident. Policia rrugore së bashku me institucionet e tjera duhet që të zhvillojnë këto studime në mënyrën që të marrin masa korrigjuese në mënyrë të menjëhershme”, thuhet në dokumentet e bëra publike nga UNECE në shkurt 2018.

Sistemi i Bazës së të Dhënave për Përplasjet
Aksidentet duhet që të analizohen më mirë nga ana e autoriteteve sipas Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara. Gjetja e numrit real është një problematikë e cila duhet të korrigjohet duke u ndjekur hallkë pas hallke edhe me Ministrinë e Shëndetësisë ku spitalet duhet të raportojnë ngjarjet që marrin dhe nuk përfundojnë në polici.

Po kështu kërkohet një detajim më i madh mbi përdorimin e skafandrës dhe rripit të sigurimit te cilat duhet të regjistrohen më vete, si dhe përmirësimi i software-it të sistemit që mban bazën e të dhënave për aksidentet.

Në rekomandimet për një rrjet rrugor më të sigurt është parë e arsyeshme që të propozohen ndryshime potenciale në Kodin Rrugor që lidhen së pari me sjelljen e drejtuesve të mjeteve kur u afrohen vijave të bardha ku kalojnë këmbësorët si dhe sjelljen brenda Zonës 30 që janë të gjitha zonat urbane ku limiti i shpejtësisë duhet të jetë 30 kilometra në orë./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb