Nëna e Petraq Bejës,21­vjeçarit që mbeti i plagosur në aksidentin e Vlorës, ku humbi jetën shoku i tij, Kristi Panajoti, mezi qëndron në këmbë nga dhimbja e kësaj ngjarjeje.

Ajo humbi nipin e saj (djalin e vëllait), ndërsa i biri që mbeti i plagosur ka përjetuar traumë nga ajo që ndodhi. Marjana Beja, në faqet e së cilës kanë mbetur ende të çjerrat nga tragjedia familjare, rrëfeu dje se si oficeri i policisë kishte ardhur në spital dhe i kishte nxjerrë ata nga dhoma për të biseduar vetëm me djalin e plagosur.

“Përfaqësuesi i policisë, Myslym Ismailaj, na kërkoi të dilnim jashtë, pasi ai do të fliste me djalin. “Më vonë mësuam se ai kishte këmbëngulur se djali duhej të pranonte se kishte probleme me shikimin, pasi në vendngjarje sinjalistika ishte prezente. Madje, ai ka këmbëngulur se djali ka probleme për faktin se i ka sytë me ngjyrë. Djali nuk ka pranuar pasi ai nuk ka asnjë problem me shikimin, nuk ka as syze. Me gjithë presionin e oficerit, Petraqi nuk pranoi ta firmoste faktin se nuk shihte mirë nga sytë dhe se në vend ka pasur sinjalistikë”, u shpreh dje Marjana Beja, raporton “Panorama”.

Sipas saj, ata si familje kanë bërë shumë fotografi natën e ndodhisë, të cilat konfirmojnë se në vendin ku ndodhi aksidenti nuk ka pasur asnjë sinjalistikë. “Dy fëmijët kalonin shumë kohë bashkë, ishin shumë të lidhur me njëri­tjetrin. Jo vetëm që ishin kushërinj të parë, por ishin më tepër shokë. Djali ynë, Petraqi, kur e takuam na tregoi, edhe pse i tronditur nga aksidenti, se nuk kanë parë asgjë, nuk kishte as ndriçim dhe asnjë sinjalistikë”, shprehet mes lotësh nëna e të plagosurit. /Panorama/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb