TIRANE – Gruaja 32-vjeçare Bujana Bushi, e cila humbi jetën në aksidentin rrugor mes Kavajës dhe Rrogozhinës më 30 korrik, ka vdekur si pasojë e hemorragjisë së brendshme të organizmit të shkaktuar nga tronditja e fortë e menjëhershme. Ky ka qenë konkluzioni i mjekëve ligjorë pas kryerjes së autopsisë në trupin e 32-vjeçares, e cila humbi jetën si pasojë e aksidentit me makinë në fshatin Lekaj të Kavajës.
Mjekësia ligjore ka kryer verifikimet e veta në lidhje me vdekjen e gruas, për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria e Kavajës, për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes në Policinë e Shtetit, akti i autopsisë ndodhet në dosjen penale të hapur për ngjarjen. Në këtë dokument thuhet se vdekja e 32-vjeçares ka ardhur nga shoku traumatik, me dëmtime karakteristike për aksidentet rrugore. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka marrë në pyetje gjatë dy ditëve të fundit të afërmit e viktimës, në lidhje me pretendimin për humbjen e 100 mijë eurove që mendohet se i mbante me vete Bujana Bushi.
Vëllai i gruas së vdekur në aksident mësohet të ketë thënë para hetuesve të SHBCA-së se nuk ka informacion të sigurt për paratë që kishte me vete e motra ditën e aksidentit. Ai ka shtuar se muajin e fundit, Bujana Bushi po diskutonte për blerjen e një makine e një shtëpie në Vlorë. Ndërsa bashkëshorti i 32-vjeçares ka thënë se muajin e fundit nuk kishin jetuar bashkë dhe nuk kishte informacion në lidhje me shumën e parave që viktima ka pasur me vete ditën e ngjarjes. Sipas hetimit të kryer deri tani, rezulton se viktima së bashku me drejtuesin e mjetit kanë qenë duke udhëtuar me makinë nga Tirana në drejtim të Vlorës. Shkak i aksidentit, sipas verifikimit të vendit të ngjarjes, ka qenë ndërprerja e rrugës së mjetit ku ndodhej Bujana Bushi nga një motor. Drejtuesi i mjetit ka manovruar për shmangien e përplasjes me motorin, por ka goditur ballazi një makinë që vinte në rrugë.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: