NGA ENRIK MEHMETI

VLORE- Tri javë pas aksidentit tragjik në Lungomare të Vlorës, ku humbi jetën 17-vjeçari Kristi Panajoti, familjarë, miq e bashkëmoshatarë të tij zhvilluan dje një protestë homazh. Nëna të veshura me të zeza dhe baballarë kokulur, me lot e dhimbje kërkuan drejtësi. Pjesëmarrësit në protestë mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Na siguroni jetën”, “Stop manipulimeve” dhe “Stop shkeljes me këmbë nga shteti”.

Me foton e Kristit të buzëqeshur, ata nisën marshimin nga sheshi i Skelës për tek Uji i Ftohtë, ndërsa ndaluan afër gropës ku ra automjeti “BMW-X6”, me të cilin udhëtonte viktima dhe kushëriri i tij 21-vjeçar, Petraq Beja që mbeti i plagosur rëndë në aksident.

Familjarët dhe banorë të qytetit të Vlorës hodhën lule në vendin ku humbi jetën Kristi, ndërsa apeluan sërish për ndërhyrjen e shtetit në ndëshkimin e fajtorëve për të shmangur vetëgjyqësinë. Para qytetarëve vlonjatë, babai i Kristit, Renato Panajoti u shpreh se kjo fatkeqësi mund t’i ndodhë kujtdo, nëse shteti nuk reagon.

“Qoftë ky kurbani i fundit për qytetin e Vlorës. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë dhe nga shteti që të vendoset drejtësi e saktë dhe brenda normave, pa mbrojtur asnjë pushtetar. Denoncimet i kam bërë si tek kryeministri e tek ministri i Brendshëm që të mos na lenë hapësirë ne të bëjmë vetëgjyqësi”, deklaroi Renato Panajoti.

Ndërsa, disa qytetarë të tjerë që morën pjesë në protestënhomazh u shprehën se kanë kaluar tri javë dhe gropa në rrugë që i mori jetën tragjikish Kristit ende nuk është mbyllur dhe kjo tregon papërgjegjshmërinë e shtetit.

AKSIDENTI TRAGJIK

Kristi Panajoti humbi jetën afër mesnatës të 27 nëntorit, si pasojë e një aksidenti automobilistik, pasi makina me të cilën ai udhëtonte së bashku me kushëririn ra në një gropë të hapur në rrugë. 17-vjeçari vdiq në rrugën e re të Lungomares që po ndërtohet në Vlorë. Ai udhëtonte bashkë me kushëririn e tij, Petraq Bejën, i cili fatmirësisht i mbijetoi aksidentit.

Nga hetimet e kryera rezultoi se firma që po kryente punimet nuk kishte vendosur asnjë tabelë paralajmëruese. Pak ditë pas ngjarjes u arrestua shefi i seksionit të hetimit për ngjarjet e qarkullimit rrugor, Myslym Ismailaj. Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas policisë, Ismailaj dyshohet se ka manipuluar provat, ndërkohë që u arrestuan dy përgjegjës të firmës. Më 2 dhjetor Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Myslym Ismailajn. Në lidhje me ngjarjen u prangosën edhe dy përgjegjësit e firmës ndërtuese: Ilirian Tahmazi Dhe Tomorr Ceno. Gjykata e Vlorës la në burg Tahmazin, ndërsa vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për inxhinierin Ceno.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb