Pas gjetjes së trupit të pajetë të 61-vjeçarit, Muharrem Plakut, i cili mbeti i bllokuar disa ditë në një nga galeritë e minierës së Bulqizës, policia, ka bërë shoqërimet e para.

Uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat teknikun, Saba Hasani dhe inxhinierin e minierës Veli Losha. Këta të fundit priten të japin dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe nëse janë zbatuar të gjitha rregullat e sigurimit gjatë punës në galeri.

Kujtojmë se Plaku, mbeti i bllokuar në një nga galeritë e minierës, pasi hyrja kryesore u bllokua nga inerte të shumta.

Pavarësisht punës intensive të kolegëve dhe policisë, ishte thuajse e pamundur që rruga të zhbllokohej në kohë dhe 61-vjeçari të dilte shëndoshë e mirë nga galeria.

NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të ngjarjes së ndodhur me datë 15.09.2021, ku si pasojë e shembjes së një masivi materiali (minerali e inerte), mbeti i bllokuar në një galeri kromi shtetasi M.P., 60 vjeç, pas disa ditësh pune të pandërprerë për pastrimin e galerisë, rreth orës 23.50, datë 19.09.2021, u bë e mundur gjetja e trupit dhe nxjerrja e tij nga galeria.

Për ngjarjen e mësipërme është ndaluar nga Policia drejtuesi teknik i një subjekti minerar, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku i subjektit minerar.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Shtetasit e lartpërmendur kanë pasur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari (punëtor në minierë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb