Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë, MIE ka reaguar në lidhje me aksidentin e ndodhur këtë pasdite në minierën e Martaneshit.

MIE shprehet se një mekanik ka humbur ndjenjat ndërsa punonte dhe është dërguar me shpejtësi për në Spitalin e Tiranës.

Sipas MIE, në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë, të cilët të jenë bllokuar.

Njoftimi i MIE-s:

Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident.

Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.

Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.

Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb