VLORË- Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 21-vjeçarin Petraq Beja i cili drejtonte automjetin ku u aksidentuar dhe humbi jetën kushëriri i tij Kristi Panajoti.

Prokuroria kërkoi arrest me burg për shoferin Beja si dhe për dy inxhinierët e firmës që po kryente punime në rrugë, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për 21-vjeçarin duke e lënë në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.

Aktualisht Beja ndodhet në spital ku do i komunikohet edhe masa e sigurisë. Ai ka pësuar disa dëmtime trupore nga aksidenti si thyrje të hundës, parakrahut dhe pjesës së kockës së legenit.

Po sot në orët e para të mëngjesit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në varësi të Ministrisë së Brendshme arrestoi edhe shefin e hetimit të ngjarjeve rrugore në Policinë e Vlorës, Myslym Ismailaj i cili tentoi të devijonte hetimin duke e kërcënuar 21-vjeçarin Beja të deklaronte se kishte probleme me shikimin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb