TIRANE- Pas aksidentit tragjik të tre ditëve më parë, ku katër persona humbën jetën si pasojë e një përplasje të fuqishme kokë më kokë në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth të tjera detaje dalin në dritë.

Kushërira e njëra prej vajzave që udhëtonin në të njejtin mjet, Greta Sherifit ka bërë publik një shqetësim të familjarëve të saj, atë të humbjes së celularëve. Sipas saj, familjarëve u janë dorëzuar disa sende pa vlerë, por jo telefonat. Ata janë të gatshëm të paguajnë në vlerë monetare, vetëm që telefonat t’ju kthehen, pasi aty kanë kujtimet me Gretën.

Kushërira iu bën thirrje personave që kanë telefonin që të mendojnë për dhimbjen e familjarëve dhe t’ua kthejnë, pasi janë e vetmja gjë që u ka ngelur nga vajza e tyre.

“Përshëndetje JOQ! Dua ndihmën tuaj. Nga vendi i aksidentit në 13 tetor në Sukth me viktima tre gocat, janë humbur dy telefonat e Greta Sherfiti, 1 iPhone 6 e një iPhone 7. Ju lutemi postojeni nëse dikush i ka ose di diçka ne si familje jemi te gatshëm t’ju japim në lekë vlerën e telefonave që t’i blejnë të rinj. Telefonat e Gretës i duam pas se aty na ka lenë terë kujtimet e saja. Ju lutemi te na i kthej pas kush i ka. Shume faleminderit ju lutem postojeni. Unë jam kushërira e saj, por u rritëm në një shtëpi, qe motra ime e vogel. Javës tjetër do behet edhe denoncimi në polici se prindërit s’janë akoma në gjendje. Është gjetur vetëm çanta e saj e hapur me cigaret, portofolin me 4 mijë lekë brenda e ca gjëra pa vlerë, por telefonat nuk u gjetën”, thotë kushërira e Gretës.

Më tej, ajo bën me dije se po atë ditë pas aksidentit dikush është futur në Facebook-un e 23-vjeçares rreth orës 15:24 minuta, ndërsa sendet e dy shoqeve të tjera janë dorëzuar tek familjarët.

“Po, të afërmit e dy shoqeve të tjera i kanë marrë thanë policët, por ishin telefona me vlerë më të vogël, për një telefon të Gretës e dimë sigurisht që ishte tek çanta e saj e tjetrin në dorë kur ndodhi aksidenti. I kanë marrë ndoshta nga vlera e lekëve pa menduar vlerën e fotove për neve. Kur na dhanë çantën të hapur i thamë se mungojnë telefonat e na thanë nuk u gjendën, shkoni e kërkoni në makinë. Por, çanta po të qe hapur në momentin e aksidentit gjërat që kishte brenda do ishin shpërndarë, policët thanë se çantën e gjetën veç me ato gjëra brenda”, është shprehur kushërira e Gretës.

AKSIDENTI
Aksidenti që u shkaktua nga ecja në sens të kundërt e 36-vjeçarit Dashnor Deliallisi u konstatua edhe nga postblloku i policisë, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalojë, por duke qenë se ky i fundit udhëtonte me një sasi droge në makinë, nuk ka ndaluar duke u përplasin me mjetin ku udhëtonin tre shoqet e ngushta Gretën, Izabelën dhe Elonën.

“Në datë 13.10.2016, në afërsi të karburant “Kastrati”, shërbimet e Rendit dhe të Qarkullimit Rrugor Durrës ishin në pikë kontrolli kur kanë konstatuar një mjet tip “Benz” duke ecur në krah të kundërt dhe me shpejtësi tej normave të lejuara. Shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë. Menjëherë efektivët e policisë në postobllok kanë njoftuar Sallën Operative dhe janë vënë në ndjekje , por mjeti është shkëputur duke përfituar në kohë pasi lëvizte në sens të kundërt dhe shërbimet e policisë nuk kanë lëvizur në sens të kundërt. Këto shërbime kanë konstatuar pak minuta më vonë se po ky mjet ishte përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth, rreth orës 04:15. Për pasojë kanë humbur jetën në aksident drejtuesi i mjetit tip “Benz” Dashnor Deliallisi, 36 vjeç, banues në Durrës, i cili u përplas me mjetin tip “Benz” me targa AA 694 IL. Gjithashtu humbën jetën Greta Sherifi 23 vjeç, banuese në Sarandë, pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeç, si edhe Elona Kaçibaros, 34 vjeç, banuese në Tiranë”,- thuhej ne njoftimin e policisë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb